Pas thuajse 3 javësh nga agresioni kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme.
Aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë.
Janë në funksion të plotë edhe shërbimet e:
aplikimit të formularit për lëshim për herë të parë ose rinovim të pasaportës
deklarimit të humbjes së dokumenteve të ndryshme
ndihmës ekonomike për individët dhe vërtetimit mbi masën e përfitimit të ndihmës ekonomike
kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social
lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës.
“Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimet e fundit të mbetura siç janë: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja; vërtetimi i pagesës së aftësisë së kufizuar si dhe kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike”, thuhet në një njoftim të AKSHI-t.
Nga dita e hënë do të mund të aplikohet edhe për Leje Ndërtimi (e-Lejet), vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe përdorimit të burimeve ujore.
Sistemet elektronike të rikthyera se fundmi në funksionalitet të plotë janë:
Sistemi i Qëndres së Botimeve Zyrtare;
e-Inspektimi;
Sistemi i menaxhimit tëinformacionit për burimet njerëzore të administratës;
Sistemi elektronik i ndihmës ekonomike.
Gjithashtu, është funksionale posta elektronike zyrtare për të gjithë punonjësit e administratës.
“Janë forcuar mekanizmat e sigurisë së email-it zyrtar si dhe është bërë kalimi i çdo mailbox-i në infrastrukturën cloud”, thuhet në njoftim.
Më tej shtohet se, “AKSHI shpreh mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit që ia dolën të rikuperojnë në një kohë rekord shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën gjatë gjithë këtyre ditëve”.