Hetuesit që po hetojnë kartonin e Granit Xhakës kundër Lidsit dhjetorin e kaluar kanë dyshime për një komplot të mundshëm, ku përfshihet dhe mafia shqiptare. Po ashtu, ata dyshojnë edhe në përfshirjen e një ish-futbollisti profesionist, i dënuar për trukim ndeshjesh.
Hetimi i FA-së për kartonin e verdhë të çuditshëm të Xhakës për humbje kohe iu kalua Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe. Kjo agjenci lufton krimin e organizuar.
“Daily Mail” shkruan se hetimi nisi, sepse pati një fluks të pazakontë bastesh në fund të fitores 4-1 të Arsenalit. U vendosën bast 52.000 paundë se Xhaka do të ndëshkohej me karton në 10 minutat e fundit të lojës.
Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari Andre Marriner në minutën e 86-të, sepse u vonua në ekzekutimin e një goditje dënimi, pavarësisht se Arsenali po fitonte 4-1 dhe kishte kontrollin e plotë të lojës. Pamjet tregojnë se mesfushori qëndroi rreth 20 sekonda para topit, përpara se të ndëshkohej.
Bastet e pazakonta për atë karton mund të jenë vetëm maja e ajsbergut. Hetuesit kanë zbuluar prova të shumave të basteve në kriptovaluta në tregje ilegale. Dhe një pjesë e madhe e këtij aktiviteti mendohet se ka ndodhur në Shqipëri.
Hetuesit po shohin edhe pretendimet se Alban Jusufi, një sulmues suedezo-shqiptar i dënuar me 5 vjet për trukim ndeshjesh nga gjykatat suedeze në 2017-ën, ka fituar shuma të mëdha, duke vënë bast për kartonin e Xhakës.
Ish-lojtari në fjalë u shpall fajtor, pasi korruptoi portierin e AIK-ut, Kiriakos Stamatopulos, me 150.000 paundë, që të toleronte në një derbi kundër Goteborgut në 2017-ën. Federata e Suedisë e shtyu ndeshjen, pasi u raportua trukimi i ndeshjes.
Granit Xhaka, 29 vjeç, u gjobit nga FIFA në Kupën e Botës 2018, pasi bëri gjestin e simbolit të shqiponjës në fitoren 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë. Ai ka zgjedhur të luajë për Zvicrën, kurse vëllai i tij, Taulanti, për Shqipërinë.
Arsenali dhe FA nuk pranuan ta komentojnë çështjen e hetimit të kartonit.