Janë një ‘mal’ me dosje që Monika Kryemadhi publikoi në faqen e saj në Facebook, duke ilustruar përmes fotosh se i ka dërguar në SPAK lidhur me procesin e ndjekur nga qeveria për inceneratorët.
“Këto në foto janë dosjet e dërguara në SPAK përpara disa javësh, ku faktohet me të dhëna nga dokumente zyrtare, se vetëm evazioni fiskal i skemës së inceneratorëve kap vlerën 30 milionë dollarë, ndërsa me skema të ngjashme si inceneratorët, llogaritet një evazion fiskal 189 milionë dollarë.
Ndërkohë, me fakte, shkresa dhe analizë profesionale, janë evidentuar më parë edhe të gjitha shkeljet proceduriale të zyrtarëve të inceneratorëve.
Shqipëria nuk mund të bëhet kurban për karrierat politike të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tyre në këtë çështje. Zbardhja e inceneratorëve duke mos mbyllur sytë ndaj fakteve, duke kryer hetime me integritet larg intimidimeve apo joshjeve, si dhe ndjekja e parasë së korrupsionit, është pikënisje e një drejtësie të vërtetë e të pavarur në Shqipëri”, shkruan Kryemadhi në Facebook duke kërkuar që drejtësia të veprojë.