Është normalizuar situata e zjarrit në fshatin Bukmirë, aty ku një ditë më parë, flakët u përhapën shumë dhe rrezikuan edhe banesat. Mësohet se zjarri ka djegur sipërfaqe të tëra me vreshta rrushi dhe ullishte. Aktualisht atje nuk paraqitet rrezik riaktivvizimi.
Në Njësinë Administrative Milot të Bashkisë Kurbin, ka një vatër të gjerë zjarri në rajonin Skuraj – Mal Bardhë. Raportohet se po punohet me të gjithë kapacitetet e Bashkisë Kurbin prej ditësh.
Për shkak të erës së fortë, temperaturave të larta, zjarri është përhapur shumë. Terreni është mjaft i thyer dhe nuk mund të ndërhyhet me zjarrfikëse.
Sot ka filluar operacioni i gjerë për eliminimin e vatrës së zjarrit, nën drejtimin e Prefektit të Lezhës. Përveç forcave të Bashkisë Kurbin, me mbështetjen e 50 forcave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të një helikopteri operacioni vijon.