Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Gledis Nano u ka tërhequr vëmendjen vartësve të tij për disa ankesa të qytetarëve ndaj punës së strukturave të uniformave blu gjatë ditëve të fundit.
Euronews Albania ka siguruar mesazhin e dërguar drejtuesve të policisë në qarqe dhe drejtuesve të departamenteve.
Nano e cilëson të papranueshme sjelljen e disa punonjësve të policisë në bazë të perceptimit të qytetarëve.
Mesazhi i plotë i drejtorit të policisë
“Përshëndetje të nderuar Drejtues
Ditët e fundit, mua si Drejtor i Përgjithshëm më kanë ardhur shumë komente të qytetarëve për punën e policisë së shtetit.
Gjithashtu kam ndjekur me vëmendje shumicën e reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale.
Duke anashkaluar reagimet politike, mllefin e qytetarëve e me të drejtë, kam seleksionuar vetë disa prej tyre që për mua janë shumë shqetësuese.
Qytetarët më së shumti ankohen për sjelljen e punonjësve të Policisë, më shumë për rrugoren, patrullat, shqiponjat, policinë kufitare e atë kriminale.
Punonjës policie që sillen arrogantë me qytetarët, që nuk zbatojnë ligjin, por shikojnë interesin e xhepit të tyre duke abuzuar rëndë me detyrën dhe rrjedhimisht do kemi këtë perceptim qytetar.
Punonjës policie që nuk njohim humanizmin fare po fare, që nuk tolerojnë (brenda ligjit) qytetarët e ndershëm por tolerojnë horrat e trafikantët.
Shumë denoncime në rrjete sociale edhe për Policinë Kufitare, për marrje ryshfeti nga mjetet lundruese dhe për pasojë ndodhemi në këtë situatë sot.
Sjelle arrogante nga Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat, në shumicën e raste vetëm e vetëm për të bërë presion e për të marrë ryshfet.
Mesazhe të ngjashme me dhjetëra qindra kanë ardhur e vijojnë të vijnë. Kjo është shumë shqetësuese shumë alarmante.
Një mesazh që s’duhet të bjerë në vesh të shurdhër:
“Sigurisht një pjese e mirë e policëve të vjetër duhen hequr fare se janë të korruptuar, ama me këta të rinjtë punoni me edukimin e tyre. Kanë problemë te pafundme me komunikimin me qytetarët, inferiorë në komunikimin edukativo njerëzor”.
Shumë i dhimbshëm për Policinë ky mesazh.
“Mjafton të kesh një dokument policie e bën ç’të duash në këtë vend”.
Zgjodha disa prej tyre që më janë drejtuar mua si Drejtor i Përgjithshëm.
Të merrem masa të menjëhershme nga Departamentet përkatëse e mos raportoni pa i lexuar ‘dakord, dakord’. Por të reflektoni urgjent përballë këtij realiteti të skanuar nga syri qytetar”.
Mesazhi i drejtuesit të policisë vjen pas tragjedisë në Himarë, ku edhe vetë Gledis Nano zbriti në terren për të parë nga afër situatën në bregdet si dhe punën e efektivëve të policisë.