Dy shqiptarë, anëtarë të një bande të organizuar krimi, janë burgosur si pjesë e një rrjeti shpërndarësish droge të cilët operonin si “shërbim taksie” në Somerset.
Sipas mediave britanike, drejtuesi i kësaj bande, Fatlind Boshnjaku, ishte ai që udhëzonte shpërndarësit, duke përfshirë këtu edhe Ergys Aliajn në qindra vendndodhje në Taunton, Yeovil, Wellington, Martock dhe Stogursey.
Për një periudhë 6-mujore djemtë furnizuan me kokainë dhe heroinë përdoruesit lokalë. Ata mendohet se kanë fituar nga ky aktivitet i jashtëligjshëm pothuajse gjysmë milioni Paund.
Shqiptarët përdornin të ashtuquajturën “metoda e kodit postar” për të vendosur marrëveshjet për shitjen e drogës.
Ata u vunë nën përgjim. Mësohet se atyre u janë analizuar me qindra mesazhe telefonike. Dy të rinjtë dolën të premten e kaluar para gjykatës dhe u shpallën fajtorë për shpërndarje të drogave të klasit A.
Për Boshnjakun u vendos dënim me burg për 8 vite, ndërsa Aliaj u dënua me 2 vjet e katër muaj heqje lirie.
Sipas provave telefonike, pra mesazheve, mendohet se mes Tetorit 2020 dhe Marsit 2021, shqiptarët kanë realizuar 11 796 shitje droge.
Vlera totale e përfituar llogaritet 471 867 Paund. Klientët thjesht bënin kontakt me numrin e shpërndarësve. Më pas korrierit i jepej një vendndodhje dhe instruksionet se ku do të bëhej shpërndarja e drogës.
Pas kontrollit të linjave telefonike, ishte Boshnjaku. Ai kishte nën kontroll 4 persona, ndërsa ta edhe Aliajn. Boshnjaku siguronte akomodim dhe mjete për shpërndarësit e tij. Këta të fundit punonin si shërbim 24/7.
Avokati mbrojtës i Boshnjakut tha se ky i fundit kishte shkuar në Britani që në moshën 15-vjeçare për t’i shpëtuar dhunës.
Në moshën 21-vjeçare ai u braktis nga shërbimet sociale të shtetit britanik dhe për shkak të kësaj i hyri aktiviteteve të paligjshme.
Ndërkohë Aliaj kur kishte kryer krimin kishte qenë 17 vjeç dhe kishte shkuar në Britani në mënyrë të paligjshme.
Por pavarësisht këtyre arsyetimeve gjyqtari i çështjes tha se aktiviteti ku ata ishin përfshirë ishte i sofistikuar dhe për këtë arsye i dënoi.