Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se e pret një betejë e fortë politike. Në një takim me strukturat e PL-së së Tiranës, Meta tha se do ta shembë sistemin e kalbur dhe të korruptuar që ka krijuar kryeministri.
“Edhe pse ju duket gushti pak si i nxehtë, të jeni të sigurt se shtatori do të jetë përvëlues për këtë sekt të korruptuar. Për këtë sekt që ka humbur çdo lidhje me vendin, me qytetarët, me hallexhinjtë, me njerëzit e ndershëm. Këtë sekt që nuk ngopet së torturuari dhe shkaktuari vuajtje ndaj qytetarëve më të rregullt dhe më të thjeshtë të vendit tonë. Unë jam këtu që të mbaj premtimet dhe premtimi im është se siç shemba në emër të ligjit dhe të ardhmes së Tiranës, gjithë kioskat e të fortëve e Parkut Rinia dhe të tutorëve të Edit, kështu do të shemb i pari unë dhe ju, një milion qytetarë të Tiranës, të gjithë së bashku, këtë kalbësirë, regjim që vetëm vjedh, mashtron, grabit, tjetërson pronat e qytetarëve me falsifikime”, deklaroi Meta.
Kreu i PL kishte edhe një mesazh për Ramën: “Kush është ky, ky bën si i fortë?! Meqenëse ka merakun e identitetit tim e kam Meta apo Metaj, unë asnjëherë se kam ndryshuar as emrin, as mbiemrin, as e kam denoncuar ndonjëherë babën tim në gjyq, përkundrazi jam krenar. Unë kam qenë dhe jam Ilir Rexhep Metaj dhe jam krenar që kam lindur 1000 metra mbi nivelin e detit dhe kam ardhur 1 vjeç në Tiranë. Unë jam i lumtur që jam dhe çun i Pazarit të Ri ku merrnim leksione si të mos rriheshim me gjithë çunat e lagjes. Shik Stermasi na thoshte që të mos zihemi me gjithë çunat e lagjes kush je ti e kush jam unë bëhu gati dhe bjeri më të fortit, kur ti i bie më të fortit mbyllet ky muhabet.
Si çun i Pazarit të Ri që jam unë dua ti them çunit të Kristaqit meqenëse sot është dhe dita e përkujtimit të poetit të lirisë Havzi Nela që unë i bie më të fortit, nuk merrem me të dobëtit. Ky nuk është më i forti, por bën që ti trembë njerëzit. Unë i bie më të fortit dhe e këpus në mes që ti duket ai Erioni i Kolonjës gjigant kur të bjerë atje. Unë i bie vetë, nuk kam nevojë të porosis, i bie vetë me kënaqësinë me të madhe në emër të popullit të Shqipërisë, të vuajtjeve, të sakrificave, të pabesive që ka përjetuar prej 20 vitesh nga një bastard që kujton se mund ta kthejë Shqipërinë në laborator kaviesh që i menaxhon dhe tjetërson ky sipas porosive që merr nga tutorët e vetë. Ky vend ka Zot dhe Tirana do jetë e para që do shembë tiraninë”.