Politika “Ke nostalgji për Tiranën kur ishte qyteti i fuksave të sigurimit”, Rama...

“Ke nostalgji për Tiranën kur ishte qyteti i fuksave të sigurimit”, Rama i bën “share” përgjigjes së Veliajt për Metën

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar lidhur me postimin e ish-presidentit Ilir Meta, ku krahasonte Tiranën e vitit 1980 me atë të vitit 2021.

Veliaj thotë se fotoja e publikuar nga Meta nuk ka asnjë lidhje me Tiranën e vitit 2021 sepse aplikacioni i “il Meteo” sipas tij e nxjerr ajrin e Tiranës sot shumë më të pastër. Ai po ashtu e thumbon Metën duke i kujtuar kohën kur ai ishte kryeministër.

“Të kesh nostalgji për Tiranën, kur ishte qyteti i fuksave të sigurimit, është e drejta jote. Por siç të mirëpriti ty, ka mirëpritur dhe 1 milionë të tjerë! p.s. Foto e Tiranës 1999 kur ishe KM me Sharrën tym e flakë e gëlqeret e Krujës si vello. S’ke asnjë ndërtesë 2021 në foto!”– shkruan Veliaj. Postimin e tij e shpërndau edhe kryeministri Edi Rama.

Ky reagim i Veliajt vjen pasi Meta këtës mëngjes publikoi dy foto nga Tirana me mbishkrimin: “Koha për t’u zgjuar që Tirana të çlirohet dhe të marrë frymë përsëri!”

Në një konferencë për mediet, Meta u pyet nëse ka ndërmend të kandidojë për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale dhe ai e la mundësinë të hapur.

“Tirana është prioritet për mua se ndej detyrime për këtë tragjedi që i ka ndodh qytetit tonë… Vërtetë humbëm 10 vjet por ndëshkimi do jetë i tillë që për 100 vite askush s’mund të luaj me interesin publik.”– u përgjigj Meta.