Të enjten mori fund arratia e ish-shefit të policisë së Dhërmiut, Sokol Bode i cili është dënuar me 12 vite burg për shkak të lidhjeve me grupin e trafikantëve të drogës së Moisi Habilajt.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, ka mësuar se ish-shefi i Policisë Sokol Bode kishte katër ditë që ishte kthyer nga Anglia në vendin e tij të lindjes, në Uznovë të Madhe të Beratit.
Kur “Operacionalja” ndërhyri për arrestimin e tij, Bode nuk ka bërë rezistencë dhe u është dorëzuar pa probleme autoriteteve. Burime bëjnë me dije se ai fillimisht ka kërkuar pak kohë që të ndahej me familjarët, gjë që është pranuar nga efektivët.
Në Berat ai ka dy prindërit dhe një vëlla me aftësi ndryshe, të cilët janë gjendur në befasi në momentin që policia ka ndërhyrë. Policia kishte arritur të lokalizonte Boden përmes informacioneve operative dhe ishte e sigurt se ai gjendej në Berat.
Vetëm një grup i vogël efektivësh ishin në dijeni të këtij operacioni, pasi i druheshin një dekonspirimi të mundshëm, duke ditur që në të kaluarën janë dekonspiruar disa operacione. Sokol Bode është sjellë në Tiranë në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa procedurat po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Zyrtari i lartë i policisë konsiderohej i afërt me Florian dhe Moisi Habilaj. Ky i fundit është ende në arrati edhe pse ka dënim të formës së prerë nga gjykatat italiane. Së bashku me Boden u dënua me 8 vite burg edhe ish-shefi i sektorit të luftës kundër drogës dhe krimit të organizuar në policinë e Vlorës Gjergji Kohila i cili u vetëdorëzua në polici në Dhjetor të vitit të kaluar.
Për të njëjtën çështje u dënuan me nga 3 vite e 4 muaj ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dhe ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri./Tv Klan