Shqipëria ka kërkuar zyrtarisht nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që të hartojë një raport të ri në të cilin ata të shqyrtojnë akuzat sipas Tiranës zyrtare të pabazuara tashmë për tregti të paligjshme të organeve njerëzore. Misioni i Shqipërisë në Këshillin e Evropës në notën verbale që mban datën 10 Gusht e informon organizatën se parlamenti shqiptar miratoi më 21 Korrik 2022, rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.
Sipas palës shqiptare, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e Dick-ut mbeten të paprovuara.
“Misioni i Shqipërisë në Këshillin e Evropës ka nderin t`ju informojë se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 21 Korrik 2022, Rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Sipas rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë pretendimet e bëra në Raportin Dick Marty për vrasjen e njerëzve me qëllim mbledhjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat janë të listuara në paragrafët 1 dhe 4 të Rezolutës 1782 të KSBE-së (2011), pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbeten të pagjetura, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte dhe për këtë arsye duhet parë si e tillë nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Po ashtu në notën verbale të misionit të Shqipërisë në KiE të Shqipërisë kërkon që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të bëjë një raport pasues dhe të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), duke rivlerësuar akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë.
Kryeministri Rama ka premtuar se do të shkojë edhe vetë personalisht në selinë e Këshillit të Evropës në Strasbourg më 10 -14 Tetor në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të KiE për të rrezuar rezolutën e miratuar në Janar të vitit 2011 nga kjo organizatë për trafikun e jashtëligjshëm të organeve që sipas Dick Marty u bë me dijeninë e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Po ashtu pretendohet se ata kanë eliminuar fizikisht jo vetëm civilë serbë, por edhe kundërshtarë të tyre politikë të kombësisë shqiptare. Në aktakuzën ndaj Thaçit e ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjyqin që po zhvillohet në Gjykatën e Hagës janë paraqitur së fundmi akuza të reja që kanë të bëjnë me krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një tjetër në Gjilan.