Kancelari gjerman thekson avantazhet e mundësisë për të lidhur Portugalinë dhe Spanjën me Europën Qendrore nëpërmjet Francës.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se ai mbështet idenë e një tubacioni të ri gazi që lidh Portugalinë dhe Spanjën me Europën Qendrore nëpërmjet Francës, duke deklaruar se kjo gjë do të përmirësonte sigurinë energjetike të Europës.
Duke folur të enjten në konferencën e tij të parë për shtyp këtë verë, Scholz tha se e kishte diskutuar këtë ide me liderët e Spanjës, të Portugalisë dhe të Francës, si dhe me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Mendoj se ne duhet ta realizojmë një projekt të tillë,” tha ai, duke shtuar se do të kishte gjithashtu “lidhje të tjera midis Afrikës së Veriut dhe Europës, të cilat do të na ndihmojnë që të diversifikojmë furnizimet tona me energji”.
Ai nuk specifikoi projektin të cilit po i referohej, por Spanja dhe Portugalia i kanë bërë presion Francës për të vazhduar me projektin e një tubacioni gazi të planifikuar nëpër Pirenejtë lindorë, i cili u ndërpre në vitin 2019 pas rezistencës nga Parisi. Madridi dëshiron që projekti të financohet nga Komisioni Europian.
Mungesa e tubacioneve alternative është identifikuar nga BE si një pengesë madhore në përpjekjet e saj për të shkëputur kontinentin nga varësia ndaj gazit rus. Brukseli e ka kthyer në prioritet konsolidimin e infrastrukturës energjetike të bllokut, eliminimin e pengesave dhe tejkalimin e vonesave në projektet e tubacioneve.
Por, një projekt i tillë nuk do të mund të realizohet edhe aq shpejt për Gjermaninë. Berlini po përpiqet të gjejë burime alternative të gazit, pasi Rusia reduktoi në mënyrë drastike furnizimet përmes Nord Stream 1, tubacioni në Detin Baltik që është kanali kryesor për dërgimin e gazit rus në Europë. NS1 aktualisht po operon me vetëm 20 për qind të kapacitetit të saj.
Mungesa e gazit ka rritur çmimet dhe ka vështirësuar përpjekjet e Gjermanisë për të mbushur depozitat e saj të gazit përpara sezonit të dimrit. Industria druhet se qeveria mund të detyrohet të shpallë një emergjencë të gazit, gjë e cila do të nënkuptonte racionimin e furnizimeve.
Gjermanët po përgatiten për rritje të faturave të energjisë këtë dimër, në kushtet e një ekonomie në rënie, inflacionit në rritje dhe problemeve në zinxhirët e furnizimit që vazhdojnë të shqetësojnë sektorin e industrisë. Problemi më i fundit është rënia e niveleve të ujit në lumin Rena, gjë e cila po dëmton tregtinë që realizohet nëpërmjet transportit përmes këtij lumi.
Scholz pranoi se Gjermania po kalon “kohë të vështira”, por tha se qeveria “do të bëjë gjithçka që mundet për t’u siguruar që njerëzit ta kalojnë këtë periudhë të vështirë”, duke përsëritur sloganin e tij: “Ju kurrë nuk do të ecni vetëm”.
Ai tha se po punonte për një paketë të tretë financiare për qytetarët e prekur më rëndë dhe e përshkroi propozimin e bërë publik këtë javë nga ministri i financave, Christian Lindner, për të ndryshuar intervalet e taksimit në mënyrë që të merret në konsideratë inflacioni i lartë, si “shumë, shumë të dobishëm”. Lindner tha se ky ndryshim do të lehtësonte 48 milionë njerëz nga barra fiskale.
Scholz tha se, edhe me paketën e re të ndihmës financiare, Gjermania do të jetë në gjendje t’i përmbahet “frenimit të borxhit”, i cili është tashmë pjesë e Kushtetutës, duke filluar nga viti i ardhshëm, siç ishte planifikuar. Ky frenim i borxhit përcakton një kufi të rreptë për mundësitë e huamarrjes nga qeveria federale.
I pyetur nga gazetarët nëse druhej për një rritje të tensioneve sociale këtë dimër, pasi kriza e gazit mund të përkeqësohet dhe kostot e energjisë mund të vazhdojnë të rriten, ai u përgjigj: “Jo, nuk mendoj se do të ketë trazira në këtë vend. Sepse Gjermania është një shtet i mirëqenies sociale”.
Scholz tha se ai ishte i bindur që Gjermania do të ishte në gjendje të plotësonte mungesën në furnizimet me gaz nga Rusia, nëpërmjet terminaleve të reja për importin e gazit natyror të lëngshëm që po ndërtohen në bregun e Detit të Veriut. Këto terminale do të nisin të funksionojnë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Do të jemi në një situatë ku mund të na duhet të paguajmë shumë për t’u furnizuar me gaz, për shkak të gjendjes së tregut global, por ne gjithmonë do të kemi mjaftueshëm furnizime”, shtoi ai./ Financial Times