Të paktën 11 persona janë vrarë të premten më 12 gusht në Cetinë të Malit të Zi, raporton agjencia e lajmeve Beta.
Sipas mediave, Vuçko Boriloviç, 34 vjeç vrau fillimisht familjarët dhe më pas doli nga banesa e tij, pas godinës së kryeministrisë duke qëlluar dhe kalimtarët.
Jozyrtarisht mediat raportojnë për njëmbëdhjetë të vdekur dhe dhjetë të plagosur. Mes të plagosurve është edhe një polic.
Policia ka reaguar menjëherë dhe ka tentuar të neutralizojë të dyshuarin i cili nuk pranoi të dorëzohej dhe qëlloi në drejtim të punonjësve të policisë.
Policia më pas qëlloi disa të shtëna dhe i dyshuari mbeti i vrarë, sipas agjencisë së lajmeve Beta.
Disa persona janë sjellë në Qendrën Spitalore Klinike në Podgoricë. Në vendngjarje ndodhet prokurori i lartë i shtetit, forcat e emergjencës dhe policia.
Administrata e policisë malazeze ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht incidentin.