Ndikimi ekonomik, dezinformimi dhe aftësia për të përfituar nga skemat e korruptuara, janë tri elementet kyçe përmes së cilave Rusia e shtrin ndikimin në Ballkan. Kështu thotë Paul Stronski, hulumtues i lartë në Programin për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Carnegie, me seli në Uashington. Sipas tij, Serbia dhe Republika Sërpska, entitet serb në Bosnje e Hercegovinë, janë më të rrezikuarat në rajon nga ndikimi rus, pasi në to mund të rritet sentimenti i nacionalizmit ekstrem.
“Popullata në Serbi nuk është aq e informuar për shkaqet kryesore të kësaj lufte (në Ukrainë), si dhe ekziston një sentiment i fuqishëm kundër NATO-s. Kjo përbën përparësi për Rusinë atje. Edhe (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiç ka luajtur me elemente ruse. Ndërsa në Bosnje-Hercegovinë, Rusia ka ndikim te (anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad) Dodik, përmes aspektit politik dhe financiar, si dhe e mbulon Dodikun në qëndrimet për shkëputje të Bosnjës”, thotë ai.
Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit, pas nisjes së sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.
Në një intervistë për Financial Times më 21 prill, Vuçiç kishte thënë se Beogradi nuk “do të zgjedhë anë” pavarësisht thirrjeve të BE-së ndaj Serbisë – si shtet kandidat për anëtarësim në bllok – që të harmonizojë politikat e saj të jashtme me të Brukselit.
Kundër sanksioneve ndaj Rusisë ka dalë edhe Dodik, duke deklaruar se mbron neutralitetin kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë. Dodik, madje, e ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin në Shën Petersburg, në qershor të këtij viti.
Shpërqendrimi i vëmendjes përmes Ballkanit
Ivana Stradner, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracisë – me seli në Uashington – beson se Ballkani i duhet Rusisë në kohë lufte për shpërqendrim të vëmendjes.
“Moska ka dëshiruar që të destabilizojë Ballkanin me vite, mirëpo jo sepse dëshiron që ta pushtojë atë. Tensionet janë të rëndësishme ashtu që Rusia të shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga ajo që është duke ndodhur në Ukrainë, sidomos tani”, ka thënë ajo në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Edhe Stronski beson se “interesi i Rusisë në Ballkan, nuk ka të bëjë me vetë Ballkanin, por me aftësinë për të pasur një derë të hapur në Evropë dhe Ballkani është një prej mënyrave më të lehta, apo të vetme për ta arritur këtë gjë”.
Rusia përfiton nga tensionet mes Kosovës dhe Serbisë
Autoritetet e Kosovës tash e një kohë përmendin ato që i quajnë tentime të Rusisë për të destabilizuar rajonin. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur këtë çështje kur ka takuar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Uashington. Osmani ka thënë se përpjekjet e Rusisë përhapen në Ballkan nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.
“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti (amerikan, Joe) Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, ka thënë Osmani më 27 korrik.
Këto përpjekje të Rusisë i ka përmendur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bisedë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të realizuar më 2 gusht. Sipas kryeministrisë, Kurti ka thënë se fushata dezinformuese e Serbisë është duke u ndihmuar nga shteti rus. Ndikimi rus është përmendur edhe ditë më parë kur autoritetet e Kosovës kanë arrestuar e më pas dëbuar gazetaren rus, Daria Aslamova.
Sipas ministrit të Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, “shumë shtete e kanë vërtetuar se Aslamova ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar nën petkun e gazetares”.
Pasi është shpallur e padëshirueshme në Kosovë, Aslamovas i është ndaluar hyrja në këtë shtet për pesë vjet. Ajo ka tentuar të vizitojë Kosovën një javë pas tensioneve të 31 korrikut në veri të vendit.
Tensionet në veri janë rritur pas vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë në rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokadat janë vënë si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – të datës 29 qershor – për zbatimin e vendimeve për targat e makinave dhe dokumentet e Serbisë nga data 1 gusht.
Pas rritjes së tensioneve, Qeveria ka shtyrë për një muaj datën për zbatim të vendimeve dhe serbët kanë hequr barrikadat.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011. Serbia e ka zbatuar menjëherë. Në Kosovë është thënë se nuk ka pasur vullnet politik. Stronski ka thënë se Rusia dëshiron të përfitojë vazhdimisht nga tensionet mes këtyre dy vendeve.
“Rusia ka ndikim të madh kulturor në elementet nacionaliste serbe. Këto elemente kanë ndikim te (presidenti serb, Aleksandar)Vuçiçi dhe në atë mënyrë mund të ketë elemente destabilizuese në rajon. Rusia dëshiron të përfitojë nga tensionet në mes të këtyre dy shteteve”.
Kurse, Stradner, duke komentuar tensionet e fundit në Kosovë, thotë se një nga arsyet e tensioneve është propaganda shumë e fortë ruse, sipas së cilës “përshkallëzimi i mundshëm është pjesë e taktikave të botës perëndimore për ta tërhequr Moskën zyrtare në një konflikt shtesë në Ballkan dhe për të hapur një front të ri që do ta dobësonte Rusinë”.
Më 11 gusht, presidenti serb, Vuçiq, i ka quajtur të rreme akuzat për interesimin dhe përfshirjen e Rusisë në situatën në Kosovë.
Por Stronski e sheh vetë Vuçiqin të lidhur ngushtë me Rusinë.
“Vuçiqi është i burgosuri i Rusisë, aq sa është përfitues i saj. Ai ka forcuar ndjenjat kundër Perëndimit aq shumë, saqë tani duhet të shqetësohet për elementet pro-ruse në vendin e tij”.
Dezinformimi si armë
Rusia, sipas Stronskit, ka kohë që e përdor informacionin si armë.
“Rusia është duke tentuar të fajësojë NATO-n dhe zgjerimin e saj për luftën në Ukrainë duke harruar faktin se NATO-ja është zgjeruar përgjatë viteve dhe se kapacitetet ushtarake në Evropë kanë pasur trend të uljes, pavarësisht faktit se më shumë shtete kanë dashur të jenë pjesë e saj”.
Edhe para luftës në Ukrainë, Rusia ka qenë aktive në luftën e informacionit përmes mediave si Sputnik dhe RT (Russia Today), për të përhapur ato që njihen si dezinformata dhe propagandë pro-Kremlinit.
Prej shpërthimit të luftës, këto dy mediume janë ndaluar në Bashkimin Evropian. Në mediat serbe ka javë që po qarkullojnë raportimet se RT-ja synon të hapë zyrë të re në Beograd.
Megjithatë, rregullatorët shtetërorë të mediave në Serbi kanë thënë se RT-ja ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare.
Hulumtimi i organizatës joqeveritare CRTA, me bazë në Beograd, i publikuar më 15 qershor, ka treguar se dy të tretat e të anketuarve kanë thënë se janë më të afërt me Rusinë.
Se ka individë që tentojnë të përhapin dezinformata për Kosovën, është vërtetuar pas tensioneve që u krijuan në veri më 31 korrik.
Disa kanale ruse dhe pro-ruse në Telegram kanë bërë postime për kinse plagosje të serbëve në veri, se ushtria serbe ka hyrë në Kosovë apo se ushtria e Kosovës synon të sulmojë veriun e Kosovës.
Këto pretendime nuk janë konfirmuar kurrë nga autoritetet.
Frika nga sanksionet e shkallës së dytë
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev, ka thënë në disa përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, beson se Rusia nuk e ka ndryshuar shumë taktikën në Ballkan.
Edhe Stronski nuk sheh përpjekje të shtuara të Rusisë për ndikim në këtë rajon prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Veglat e Rusisë në Ballkan, sipas tij, janë ende efektive dhe ajo po ruan status quo-në, ndonëse jo për periudhë shumë të gjatë.
Ai beson se Rusia do të vërejë peshën e sanksioneve që i ka vënë Perëndimi për luftën në Ukrainë, pavarësisht se Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar atyre.
“Ndonëse serbët nuk i kanë vënë sanksione Rusisë, kjo e fundit mund të përballet me situatë të vështirë në periudhë afatgjatë. Fakti që Rusia dërgon disa burime të saj në Serbi përmes vendeve të BE-së, e komplikon punën e kompanive ruse që të funksionojnë atje për kohë të gjatë”.
Stronski thekson se në gjashtë deri tetë muajt e ardhshëm, ndikimi ekonomik në Ballkan mund të goditet, pasi individët dhe kompanitë do t’i frikësojë ideja e përballjes me sanksionet dytësore të Perëndimit.
“Një gjë që nuk dihet është se nëse Rusia se nuk ka asgjë për të humbur, nëse në të vërtetë është duke humbur edhe ndikimin ekonomik, a nënkupton kjo se do të bëhet faktor edhe më destabilizues?”, pyet ai.
Si mund të luftohet ndikimi rus?
Profesori Bechev beson se transparenca dhe sundimi i ligjit duhet të jenë shtylla për luftim të ndikimit të Rusisë në Ballkan.
Stronski, në anën tjetër, thotë se “autoritetet lokale duhet të jenë të vetëdijshme për rolin e Rusisë dhe mjetet që përdor për të përftuar nga ndasitë etnike, politike dhe shoqërore”.
“Nëse udhëheqësit vërtet duan të çojnë përpara integrimet evropiane, ata duhet të dyfishojnë punën në reformat e brendshme, të mbyllin hapësirat ku ekziston korrupsioni të cilat i mundësojnë Rusisë t’i ndikojë elitat dhe promovomi i lirisë së mediave”, thotë ai.
Ai e konsideron shumë të rëndësishëm edhe faktorin ekonomik dhe faktin se “Rusia i ofron pak Ballkanit në këtë aspekt”:
“Duhet pasur parasysh interesat ekonomike dhe faktin që ekonomia ruse është në telashe të mëdha. Ballkani përfiton nga strukturat evropiane. Shiheni Serbinë, 60 për qind të tregtisë e ka me BE-në dhe jo Rusinë. Prandaj, duhet theksuar atë që ofron Perëndimi, duke përmendur taktikat agresive të Rusisë në rajon, pasi po e shohim që Rusia nuk është duke luftuar vetëm në Ukrainë, por është duke kërcënuar edhe vendet tjera fqinje”.
Sa i përket luftës në Ukrainë, ai parasheh luftë të gjatë dhe brutale. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Në ditët e para të luftës, Moska ka dështuar që të marrë kontrollin e Kievit dhe më pas ka përqendruar ofensivën e saj në rajonet lindore, Luhansk dhe Donjeck, që njihen edhe si Donbas.
Në këtë rajon, prej vitit 2014, ushtria ukrainase ka luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia.
Prej nisjes së luftës, Ukraina ka thënë se janë vrarë dhjetëra-mijëra persona dhe miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Përveç shkatërrimit masiv në Ukrainë, lufta ka nxitur një krizë të çmimeve të ushqimit dhe energjisë në mbarë botën./REL