Nga Flogert Muça
Energjia vijon të mbetet një shqetësim serioz në të gjithë botën. Kriza botërore që ka përfshirë këtë sektor jetik ka vënë në lëvizje thuajse të gjitha shtetet. Rritja e çmimit është vetëm njëra anë e kësaj krize e cila rrezikon të thellohet edhe më shumë duke kërcënuar me mungesë të produktit në treg çka do të sillte pasoja të rënda.
Në tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike çmimet vijojnë të jenë të larta. Sot çmimi është në nivelet mbi 400 euro/MWh, ndërkohë që sipas parashikimeve në shtator pritet të arrijë 500 euro për megavat.
Planet e vendeve të BE për ndërprerjen e energjisë nga qymyri dhe një strategji e tranzicionit në green energy, për të cilën janë shpenzur shuma të mëdha, janë ndërprerë për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe tentativës së BE për të ndërprerë varësinë nga gazi dhe nafta ruse.
BE kishte miratuar një fond prej 17.5 miliardë Eurosh të quajtur Fondi i Drejtë i Tranzitimit (Just Transition Fund), si plan masash për vitet 2021 – 2027, për të asistuar shtetet e varura nga qymyri për tranzitimin drejt energjisë së rinovueshme. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve u është shpërndarë tashmë shteteve, me qëllim ndërprerjen e energjisë së qymyrit.
Pikërisht ky plan është prishur për shkak të pasojave të krijuara nga lufta Rusi – Ukraine. Kjo pasi per te perballuar krizen energjetike, shume shtete kane vendosur kthimin te energjia e qymyrit. Duket se askush nga zyrtarët e lartë të BE nuk e kishte menduar para një viti se gjithçka do të binte si një kështjellë rëre dhe hapa regresivë do të hidheshin dhe tashmë drejtuesit e BE shprehen me nota pesimiste për dimrin që po vjen.
Gjermania, Polonia, Rumania, Hollanda, Çekia dhe shumë vende të tjera europiane kanë vendosur rritjen e kapaciteteve prodhuese nga qymyri. Ekzekutivi i BE, Komisioni Europian, është në dijeni të rritjes së përdorimit të qymyrit dhe për momentin shprehet i paqartë se cila do jetë masa ndaj shteteve që kanë përfituar nga ky Fond dhe kanë dështuar për uljen e energjisë nga qymyri. Kjo ka vendosur në pikëpyetje edhe targetin e uljes së emetimeve të karbonit me të paktën 55% brenda vitit 2030.
Nga ana tjetër kriza e rëndë energjetike ka detyruar shtetet e BE të marrin masa drastike për uljen e konsumit energjetik.
Një vendim i Qeverisë Spanjolle, që ka detyruar zyrat, dyqanet dhe ambientet e tjera publike për të vendosur një limit të përdorimit të ajrit të kondicionuar në 27 grade celcius, ka shkaktuar mjaft debat në vend. Një dekret i shpallur këtë javë kufizon gjithashtu ngrohjen në një temperaturë mbi 19 gradë gjatë dimrit. Vendimi do jetë i detyrueshëm në çdo ndërtesë publike dhe tregtare, duke përfshirë baret, kinematë, teatrot, aeroportet dhe stacionet e trenit. Një masë tjetër e marrë nga qeveria Spanjolle është fikja e ndriçimit në ambientet tregtare pas orës 22:00.
Një masë e ngjashme është marrë edhe nga Qeveria Franceze, e cila ka urdhëruar gjithë ambientet tregtare të mbyllin dyert gjatë përdorimit të ajrit të kondicionuar, duke vendosur edhe një penalitet me gjobë për shkelësit, në vlerën 750 Euro. Qeveria franceze po planifikon shtrirjen në gjithë vendin të një detyrimi për ndalimin e reklamave ndriçuese në qytete ndërmjet orareve 01:00 – 06:00.
Shqipëria i është bashkuar Qeverive europiane sa i takon masave për t’ju përgjigjur kësaj krize. Pavarësisht situatës së deri tanishme, dhe ndryshe nga pjesa më e madhe e vendeve europiane, Shqipëria ka vendosur të mos e rrisë çmimin e energjisë për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël, duke mos dëmtuar ekonominë familjare dhe atë të biznesit të vogël.
Në buxhetin e vitit 2022 Qeveria Shqiptare akordoi një fond prej 20 mld lekësh mbështetje për energjinë elektrike, ndërkohë që dy anijet TEC që do të instalohen në triport të Vlorës, brenda pak javësh me një kapacitet prej 114MW pritet të zbusin në mënyrë të konsiderueshme nevojën për import të energjisë.
Sigurimi i anijeve – TEC lundruese, përmes kompanisë amerikane Exellerate Energy, e interesuar për një angazhim afatgjatë në Shqipëri, e përfshirë tashmë në projektin strategjik të TEC Vlora dhe projektin e ndërtimit të tubacionit Vlorë – Fier që lidh TEC me gaz sjellësin Tap, është një zgjidhje jetike në këto momente të vështira ndërkombëtarisht.
Padyshim që do të duhen një sërë masash të tjera, por fakti që kompania amerikane me bazë në Houston është në hapat e fundit të realizimit të kësaj pjese të projektit është një ogur i mirë për vendin.
Këto dy masa janë një reagim ndaj situatës aktuale, ndërkohë që janë hedhur një sërë hapash drejt diversifikimit dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike në Shqipëri.
Në tetor të vitit 2020 Shqipëria nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik me SHBA-të, ku pjesë e saj janë dy projekte, Skavica dhe projekti LNG. MIE, Albgaz, Exclerate dhe Exxon Mobil, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për transformimin e TEC Vlorës në një terminal LNG. Projekti parashikon ndërtimin në gjirin e Vlorës të një terminali të ri lundrues për importin e LNG, magazinimin dhe rigazifikimin e tij, i cili do të mundësojë furnizimin me gaz të TEC-it ekzistues në Vlorë. Në fazën e parë kapaciteti i këtij TEC do të jetë 100 MW dhe me zgjerimin e tij në një fazë të dytë kapaciteti do të arrijë në 200-300 MW. Kompania amerikane Excelerate është në fazën e konceptimit të këtij projekti dhe detajimit të studimit të fizibilitetit.
Në korrik të 2021 KESH nënshkroi me kompaninë amerikane Bechtel kontratën për ndërtimin e HEC Skavicës, i cili jo vetëm do të rrisë kapacitetet prodhuese, por shërben edhe si rregullator për të gjithë kaskadën e Drinit. Ky projekt është në fazën e detajimit të studimit të fizibilitetit.
Sa i takon diversifikimit të burimeve energjetike, MIE ka realizuar me sukses dy ankande për zhvillim të burimeve fotovoltaike nga dielli, të fituara nga kompania francize Voltalia. Ankandi i parë në Karavasta me kapacitet 140 MW, i cili filloi punimet në korrik 2022 dhe pritet të fillojë prodhimi në mesin e vitit 2023, ndërsa ankandi i dytë në Spitallë me kapacitet 100 MW dhe ndërtimi i të cilit pritet të fillojë në fund të vitit 2022.
MIE është duke zhvilluar një ankand për burime gjeneruese nga era me kapacitet total deri në 150 MW. Ky ankand ka përmbyllur fazën e parë në korrik 2022 dhe 16 kompani ndërkombëtare kanë paraqitur ofertat e tyre.
Qeveria ka theksuar vazhdimisht se të gjitha këto projekte do të ndryshojnë rrënjësisht situatën energjetike në Shqipëri duke e kthyer vendin tonë në një vend eksportues të energjisë. Por këto hapa marrin një rëndësi akoma edhe më të madhe, veçanërisht sot kur e gjithë bota po përballet me një krizë energjetike e cila duket se do të jetë afatgjatë.