Diva italiane e filmit Gina Lollobrigida ka vendosur të hyjë në politikë në moshën 95-vjeçare dhe të kandidojë për Senatin në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për në 25 shtator.
“Jam lodhur duke dëgjuar politikanë që grinden me njëri-tjetrin pa u marrë me punë. Italia është në një gjendje të keqe, dua të bëj diçka të mirë dhe pozitive”, tha Lollobrigida për Corriere della Sera.
Lollobrigida dëshiron të kandidojë në një listë që përfshin edhe Partinë Komuniste.
Ndër të tjera ajo tha se para se të merrte vendimin, ka folur me avokatin e saj.
“Në jetë mund të humbësh dhe mund të fitosh”
Ish-aktorja ka një kujdestar të caktuar nga gjykata pas një mosmarrëveshjeje familjare prej vitesh dhe për këtë arsye nuk lejohet të marrë vendime të pavarura për pasuritë e saj.
Lollobrigida tentoi ta niste karrierën e saj politike në vitin 1999, kur kandidoi për Parlamentin Evropian, por nuk fitoi numrin e duhur të votave.
“Në çdo rast, ishte një përvojë. Në jetë mund të humbësh dhe mund të fitosh”, tha aktorja, karriera e së cilës ishte në kulmin e saj në vitet 1950.
Italia do të zgjedhë anëtarët e një parlamenti të ri në shtator pas rënies së fundit të qeverisë së Mario Draghit. Aktualisht, sipas sondazheve, blloku i qendrës së djathtë i mbledhur rreth partive Fratelli d’Italia, Liga dhe Forza Italia kryesojnë.