Nga Alda Bardhyli
Nju Jorku është qytet i egër Z.Rushdie. Selman Rushdie do të kalonte në mendje këtë fjali teksa në duar mbante faqen e parë të Post-it, ku sytë e Padmë-s dukeshin kaq të bukur, në foton që kishte zënë hapësirën kryesore të gazetës, dhe në krah të saj një foto e vogël e tij me titull dhe germa gati pesë centimetra “Të vdesësh për të”. Sërish të nesërmen e njëjta gazetë botonte një karikaturë, në të cilën fytyra e tij shihej përmes shënjestrës së pushkës dhe një snajperi. Në titull shkruhej: Padma, mos u bëj budallaqe që iranianët e çmendur nuk do ta ndjekin pas në Nju Jork… Dhe sërish disa javë më vonë, Post do të botonte një foto të tyre duke ecur në rrugët e Manhattanit me titullin e madh “të vdesësh për të”.
Natën dëgjonte fjalën “të dua” ndërsa ditën ulërimat “të vdesë”. Pas gati 10 vitesh nga botimi i “Vargjeve satanike”, pavarësisht ironisë së mediave, Selman Ruzhdie ndjente se kishte dalë nga “zona e vdekjes” për t’iu rikthyer jetës së lirë në Nju Jork. Këtë ndjesi të tij e kishin konfirmuar dhe autoritetet, të cilët sugjeronin se mund të shkonte lirisht në aktivitete librash, apo në klubet e natës Moomba ku Padma ishte e mirënjohur. E bashkë me jetën në arrati do të përfundonte dhe historia e tij e dashurisë me Padma Lakshmi, gazetare dhe aktiviste indiane. Ditët e tyre në Nju Jork janë rreshtat më interesantë në autobiografinë “Anton Joseph”, të cilën shkrimtari e shkroi për të treguar persekutimin dhe jetën shoqëruar nga frika e përhershme e një sulmi nga një vend në tjetrin, me një sinqeritet të jashtëzakonshëm. Libri i ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Engjëllushe Shqarrit dhe botimet “Dudaj”, hyn në leximet e mia të fundit, nga ato lexime që enden gjatë në jetën tënde e në një mënyrë apo një tjetër duket sikur të tërheqin drejt disa zonave që vetëm librat e mirë mund ta bëjnë.
Përtej kontekstit të zymtë se ku mund ta çojë botën radikalizmi dhe analizës mbi raportin mes letërsisë dhe lirisë, Anton Joseph është dhe një tablo e botës bashkëkohore të librit sot, ku duket se sallonet parisienë të shekullit XX ku Hemingway dhe Fitzgerald apo Gertrude Stein kalonin mbrëmjet dhe ndërtonin personazhet që frymëzuan lëvizjet kulturore e politike të shek. XX, janë zhvendosur në Nju Jork, ku në festa bëhen bashkë Paul Auster, Siri Hustvedt, Don DeLillo, Suzan Sontag, Toni Morrison, Paul Simon, Anie Leibovitz apo mbrëmjet e organizuara nga Harold Pinter. Rushdie vizaton një botë letrare plot shkëlqim e solidare, e cila e ndihmon për të mos humbur nën efektin shkatërrimtar të “çështjes Rushdie”, për të mos hequr dorë nga vendi që i takonte në art. Ai kishte kaluar nga Salmani te Josehp Antoni (kur i kërkuan të zgjidhte një emër të rremë me të cilin ta thërrisnin policët, ai filloi të mendonte për shkrimtarët që donte më shumë e të krijonte kombinimet me emrat e tyre. Papritur në mëndje i erdhën emrat e Conrad-it dhe Cehovit- Joseph Anton), e ndoshta mund të kthehej në një hiç, duke u endur në një hapësirë ku nuk kishte më njeri brenda.
Por Suzan Sontag i kërkoi një betim, që “vitin tjetër të mbyllej në shtëpi dhe të shkruante”. Josehp Anton nuk është thjesht një autobiografi, por është jeta e jashtëzakonshme e një shkrimtari, i cili dhe nën survejim të vazhdueshëm arrin të ndërtojë një jetë plot dashuri, dy divorce, dështime dhe kërkime të vazhdueshme me besimin e përhershëm tek letërsia. Sulmi ndaj tij disa ditë më parë teksa fliste në Institutit Chautauqua, është një nga pamjet më të trishta që skena letrare botërore ka parë nga koha kur Lorka u vra nga falangistët e Frankos, apo vdekja e Mandelstam në kampet e punës së Stalinit, duke na treguar se ndërsa arti është i fuqishëm, shkrimtarët janë më pak.
Pikëpamja e letërsisë për natyrën njerëzore ka nxitur gjithnjë mirëkuptimin, simpatinë dhe njëjtësimin edhe mes njerëzve krejtësisht të ndryshëm, ndërsa sot duket sikur presionet e reja të kohës shtyjnë njerëzit drejt një drejtimi të kundërt, drejt fanatizmit, tribalizmit, kultizmit, radikalizmit dhe luftës. Përballë kësaj fryme, shkrimtarët, artistët, përballen gjithnjë e më tepër me forca që kërkojnë zmbrapsjen e tyre, dhe duken të pambrojtur. Pushteti i shkrimtarit në shekullin e XXI nuk është më në pozitat e një shekulli më parë, përballë sistemeve të reja. Megjithatë, ashtu si dhe Selman Rushdie beson se letërsia e madhe vazhdon të të shtyjë kufijtë e gjuhës, formës dhe mundësisë për të bërë që bota të ndihet më e gjerë e më e madhe se më parë. Në qendër të Vargjeve satanike qëndron një pyetje: Kush ka të drejtë ta kontrollojë historinë? Kush e ka, kush duhet ta ketë të drejtën jo vetëm për të treguar historitë me të cilat dhe brenda të cilëve jetojmë të gjithë ne, por edhe për të thënë se në ç’mënyre duhen treguar këto histori? Sepse të gjithë jetojmë përmes dhe brenda historive, rrëfimeve të mëdha. Kombi është një histori, familja është një histori, feja është një histori. Anton Joseph kërkon thjesht të jetë i lirë të ritregojë këto histori, duke kërkuar të drejtën themeltare të një shoqërie të lirë, ku debati mbi historinë nuk merr fund asnjëherë.