Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka deklaruar se aleanca ka shtuar forca të saj të sigurisë në Kosovë, përmes KFOR-it, nisur nga situata e javës së kaluar pas trazirave në Veri të Kosovës.
Pas takimit me Presidentin serb Vuçiç, në një konferencë të përbashkët shtypi, Stoltenberg theksoi se forcat e KFOR-it do të veprojnë nëse do të jetë e nevojshme.
“Ne kemi forcat gati dhe do veprojmë atëherë kur do jetë e nevojshme. E kemi shtuar praninë tonë në Veri. Jam informuar në detaje se si është vendosja e tyre. Lëvizja jonë do të reflektojë nevojën dhe sfidën që mund të na paraqiten në terren. KFOR punon edhe me aktorë të tjerë, siç është edhe policia e EULEX”.
Ndërsa Presidentin i Serbisë u shpreh se dhuna duhet të refuzohet.
“Barrikada dhe dhuna nuk janë implementime sistematike. Pyetja është se si e interpretojmë çështjen e dhunës. Ne kemi mundësi të limituara për të ndërhyrë në Veri. Mos prisni që serbët të qëndrojnë dhe të shikojnë. Nuk ka të bëjë me mua, është një çështje më e madhe, ka breza që nuk e shohin Kosovën si një territor të lirë, e shikojnë si territor të Serbisë”.
Vuçiç kritikoi edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për të cilin tha se këtë situatë po e shfrytëzon politikisht.
“Nuk ka asnjë gjë të re në narrativën e Kurtit për Serbinë, ai thjeshte përdor situatën aktuale politike. Ajo që ne duam është një qasje racionale, një marrëveshje kompromisi mes të dyja palëve. Ne duhet të flasim me njëri-tjetrin, si do gjejmë zgjidhje, por kjo lloj narrative e refuzoj dhe pres ndjesë për gjithë fabrikimet që thuhen kundër Serbisë”.
Ata diskutuan edhe për luftën në Ukrainë, me NATO-n që kërkon nga Serbia t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, por pa marrë një përgjigje nga Vuçiç.
Megjithatë, Vuçiç konfirmoi se në Serbi nuk do të ndërtohet dhe nuk do të ketë asnjë bazë të huaj ushtarake përfshirë Rusinë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, me të cilin do të mbajë në fund një konferencë të përbashkët për shtyp.