Dy persona kanë mbetur të vrarë nga një atentat i mirëorganizuar në autostradën e Vlorës. Viktimat udhëtonin me një makinë tip Benz kur u qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet në lëvizje.
Viktimat janë Hakim Xhezo dhe Shpati Lena.
Si pasojë e të shtënave, automjeti humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke rënë në një kanal në afërsi të mbikalimit të Panajasë.
Paraprakisht mendohet se atentatorët kanë qenë 3 persona; njëri në rolin e shoferit të mjetit ndërsa dy të tjerët në rolin e qitësit duke hapur zjarr me breshëri ndaj makinës së viktimave.
Disa minuta pas krimit, në Frakull të Fierit u gjet një makinë duke u djegur, që dyshohet se u përket atentatorëve të Vlorës.
Në vendngjarje ndodhet policia duke kryer veprimet hetimore në zonë. Për shkak të aksidentit në autostradë u krijua radhë e gjatë automjetesh që shkojnë drejt qytetit bregdetar të Vlorës.
Kush ishte Shpati Lena
Lena nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai, së bashku me Ariel Kingjin janë autorët e rrahjes së Gazmend Alushit në nëntor të atij viti, sherr i cili solli vrasjen e Arben Beqirajt. Viktima bashkë me miqtë e tij ishin në lokalin e tyre buze detit në Vlorë ndërsa Gazmend Alushi ndodhej aty pranë duke shëtitur me kalin në pronësi të Eduart Xhezos. Arben Beqiraj është bezdisur nga zhurma e kalit dhe pasi ka debatuar me kujdestarin e kalit Gazmend Alushi e ka goditur këtë të fundit. Gazmend Alushi është ankuar tek pronari i kalit Eduart Xhezo për këtë incident.
Kjo ka bërë që Eduart Xhezo bashkë me dy miqtë e tij Ariel Kingji dhe Shpati Leno të armatosur të shkonin në lokalin e Arben Beqirajt dhe pasi janë përplasur fizikisht janë konfliktuar me armë.
Policia e Vlorës jep informacion zyrtar: Atentatorët me makinë BMW, brenda u gjetën 3 kallashnikovë
Policia e Vlorës njofton zyrtarisht se autorët e vrasjes së dyfishtë në autostradë pranë Panajasë përdorën një automjet BMW me targa italiane.
Sipas policisë, makina BMW u gjet e djegur në fshatin Çerven në aksin Levan-Tepelenë. Brenda makinës u konstatuan 3 kallashnikovë.
NJOFTIMI I POLICISË SË VLORËS, ORA 10:50
Sot, rreth orës 09:50, në dalje të fshatit Panaja, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në rrethana ende të pa qarta, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ndodhen brenda një automjeti tip “Benz”.
Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMW”, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Nga kqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes, ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, si dhe identifikimin e dy shtetasve të gjendur pa shenja jete.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, Delta Forcës e FNSH-së, në bashkëpunim me DVP Fier kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.