Kulturë Alina e Kubës: Film për historinë e vajzës jashtë martese të Fidel...

Alina e Kubës: Film për historinë e vajzës jashtë martese të Fidel Castros

Filmi tregon për jetën e vajzës jashtë martese të udhëheqësit të revolucionit kuban Fidel Castro, Alina, e cila shpreson që filmi t’i sjellë publikut nga afër realitetin e ashpër të socializmit kuban.

Pak para fillimit të xhirimeve Alina Fernández Revuelta i tha revistës online të kubanezëve në mërgim “CiberCuba”, se ajo pret që filmi të jetë më shumë se sa një biografi: “Unë mendoj se do të ishte mirë që pasi të shohë filmin, publiku të ndiejë se ka mësuar diçka”.

“Për mua ka prioritet që të flas për Kubën”. Alina Fernández Revuelta mendon të kritikojë ashpër sistemin politik të krijuar nga i ati në ishullin e Karaibeve, pas revolucionit.

Grua mjeku dhe rebele 

Dikur Alina e adhuronte shumë të atin, heroin e revolucionit. Po le ta tregojmë historinë me radhë. E ëma e saj, Natalia “Naty” Revuelta Clews vinte nga familje e kamur. Ajo ishte grua e zgjuar dhe e njohur në qytet për bukurinë e saj, gjë që nuk duhet t’i ketë shpëtuar Fidel Castros së ri. Për herë të parë ata u takuan në nëntor 1952 gjatë një aktiviteti të organizuar në Universitetin e Havanës. Castro në atë kohë ishte ende i panjohur. Gjë që do të ndryshonte vetëm disa muaj më vonë: Më 26 korrik 1953, ai së bashku me ithtarët e tij u ngritën kundër presidentit diktatorial Fulgencio Batista dhe pushtuan kazermën Moncada në Santiago, repartin e dytë më të madh ushtarak të Kubës.

Përpjekja për puç dështoi, por Castro u bë i njohur brenda natës. Së bashku me rebelë të tjerë ai u fut në burg, por u lirua një vit më vonë gjatë një amnistie të përgjithshme – dhe vendosi sërish kontakt me Naty-n. Megjithëse të martuar me partnerë të tjerë, ata ranë në dashuri dhe nga si rrjedhojë më 19 mars 1956 lindi Alina. Në atë kohë Fideli gjendej në Meksikë, ku bënte plane për revolucionin dhe ku u njoh me Ernesto Che Guevara-n. Por kjo është një tjetër histori.

Si u kthye Alina në antikomuniste

Castro e njohu vajzën e vogël, të vetmen bijë mes tetë fëmijëve, vetëm pas rrëzimit të Batistas në janar 1959 – pas marshimit të tij fitimtar në Havanë. Alina vetë ishte dhjetë vjeç kur mësoi se bashkëshorti i së ëmës, kirurgu i njohur i zemrës, Orlando Fernández, nuk ishte babai i saj biologjik. “Ndihesha sikur një shkop magjik të më kishte kthyer në princeshë”, shkruante ajo më vonë në kujtimet e saj. Ajo iu lut të ëmës: “Mami, merre menjëherë në telefon, unë kam kaq shumë gjëra për t’i treguar.”

Por ndërkohë që Naty Revuelta-s kishte hequr dorë nga jeta e mirë si bashkëshorte e një mjeku dhe kishte shitur bizhuteritë në mënyrë që Castro të blinte armë për revolucionin, adhurimi i Alinas për ish-heroin e revolucionit filloi të merrte të krisura.

Kur ishte fëmijë asaj i ishte dashur të luftonte që Fideli ta lejonte të mbante mbiemrin Castros, por kur ky më në fund e lejoi, ajo nuk e donte më. Castro e pranoi të bijën, por sipas revistës “Foreign Policy”, ajo ka qenë më e afërt me të ungjin, xhaxha Raúlin: Ai ishte një nga ata tek i cili mund të shkoje në çdo kohë për të kërkuar ndihmë, kur njeriu kishte ndonjë problem praktik… Fideli nuk ishte i gatshëm për të ndihmuar.” Ajo ndihej e kontrolluar dhe nën presion nga i ati dhe filloi të vuante gjithnjë e më shumë nga regjimi “Socialismo o Muerte” (Socializëm ose Vdekje) që sundonte në Kubë.

Alina Castro duke demonstruar kundër regjimit të Fidel Castros

Shumë përpjekje për të gjetur punë në Kubë dështuan për shkak të rebelimit të saj kundër sistemit politik: Ajo u shkarkua. Përpjekjet e herëpashershme për të udhëtuar jashtë vendit refuzoheshin të gjitha nga i ati. Në vitin 1993 Alina Fernández arriti të arratisej. Me paruke në kokë dhe pasaportën e një spanjolleje ajo hipi në një avion që shkonte për Madrid dhe u vendos më vonë në Miami, ashtu si shumë kubanezë në mërgim.

Atje ajo luftoi me forcë për të arratisurit e tjerë nga vendi i saj dhe demonstronte kundër regjimit të Castros. U deshën të kalonin 21 vjet, derisa Alina Fernández të shkelte sërish në tokën kubane, për të vizituar të ëmën e sëmurë, e cila ndërroi jetë një vit më vonë.

Alina Fernández u beson producentëve të filmit 

Tani që jeta e saj do të tregohet në ekranet e kinemave, ajo u impresionua shumë nga ndarja e roleve në filmin “Alina of Cuba”, megjithëse sipas deklaratës së saj, deri tani ajo ka qenë përfshirë pak në procesin filmik, duke qenë këshilltare e tij.

Aktori amerikan James Franco (44) do të luajë të atin, Fidel Castro, argjentinasja Mía Maestro do të luajë të ëmën. Ajo vetë do të luhet nga Ana Villafañe, e lindur në Miami nga një kubaneze dhe një salvadorian.

“Jam shumë e kënaqur me zënien e roleve, dhe Ana Villafañe është një aktore e mrekullueshme. Unë mendoj se ajo do të jetë zbulimi i vërtetë i këtij filmi,” thotë Alina Fernández e vërtetë.

Regjisor i filmit me buxhet të ulet është spanjolli Miguel Bardem, një farefis i aktorit të famshëm ndërkombëtar, Javier Bardem. Meqenëse nuk është e mundur që xhirimet të zhvillohen në Kubë, prodhuesit e filmit janë duke kërkuar në Kolumbi për arkitekturë koloniale që mund të ringjallë në film Havanën e epokës së Castros.

Alina Castro

Megjithëse skenari i shkruajtur nga José Rivera, një nga pretendentët për titullin Oskar (2004 për “Udhëtimi i Che-së së ri”) dhe nga marrësi i çmimit Pulitzer Nilo Cruz, bazohet në librin e kujtimeve të Alinës me titull “Alina: Memorias de la Hija Rebelde de Fidel” (Kujtimet e vajzës rebele të Fidelit”) botuar në vitin 1997, filmi nuk ndjek librin. “Unë kam folur orë të tëra me regjisorin, por autorët e skenarit kanë pasur liri të plotë”.

Alina jeton në Miami, por do të shkojë në Kolumbi për të ndjekur xhirimet. Për revistën “CiberCuba” ajo tha se ka besim të plotë tek prodhuesit e filmit, se do ta prezantojnë Kubën si duhet. Nëse çdo gjë shkon sipas planeve, filmi do të shfaqet në kinema në fillim të 2023, pikërisht 30 vjet pas arratisjes së Alinas nga Havana.

Krahas filmit artistik do të prodhohet edhe një film dokumentar me titull “E bija e revolucionit”, i cili nuk ka në fokus vetëm vendet e xhirimit të filmit artistik “Alina of Cuba”, por tregon edhe historinë e Kubës, sipas këndvështrimit të Alinas./DW