Një aksident tragjik i ndodhur gjatë natës i mori jetën dy të rinjve këtë të shtunë në Mirditë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:30 në aksin rrugor “Milot-Tuneli Kalimashit”, në vendin e quajtur “Vau Shkjeze” të Rubikut.
Viktimat janë Denis Gjeta, 30 vjeç dhe Marius Çeça 31 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata ishin pasagjerë në makinën që drejtohej nga 35-vjeçari Marsel Busho. Ky i fundit mbeti i plagosur dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Shkak për këtë aksident tragjik dyshohet se u bë humbja e kontrollit të mjetit nga ana e 35-vjeçarit, në rrethana ende të paqarta. Makina përfundoi duke u përplasur me mbrojtëset metalike të rrugës, një përplasje që siç mund të shihet edhe në këto pamje ishte tejet e fortë.
Autoritetet policore thonë se po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik.