Pas dymbëdhjetë orë diskutimi dhe debati Kuvendi i Malit të Zi votoi mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviçit, një orë pas mesnatës së 20 gushtit.
Qeveria është rrëzuar me 50 vota pro dhe një kundër.
Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.
Tani qeveria e Abazoviç do të funksionojë me mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet.
Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviç nuk morën pjesë në votim.
Gjatë mbrëmjes së 19 gushtit, Abazoviç u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, gjë që nuk kaloi.
Para votimit, në fjalën përfundimtare, Abazoviç tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje.
Ai tha se shpreson që shpejti do të konstituohet qeveria e re dhe të gjendet mandatari për formimin e saj.
“Lufta politike për momentin është mes Dritan Abazoviçit dhe Millo Gjukanoviçit”, ka shkruar ai në rrjetin Telegram pas rrëzimit.
Abazoviç ka thënë se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.
“Sonte votohet iniciativa e DPS-së, e cila tha se kur ta rrëzojnë Qeverinë do ta anulojë Marrëveshjen Themelore. Nëse sonte e rrëzoni qeverinë, mos na thirrni më për negociata. Marrëveshjen Themelore nuk e kam nënshkruar as për vota, as për mbështetje, as për qeveri, por për pajtimin e popullit të Malit të Zi”, tha gjatë seancës Abazoviç.
Abazoviç kryeministër për 115 ditë
Qeveria e Dritan Abazoviçit u zgjodh më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.
Dritan Abazoviç ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviç. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviçit ishte “pika e kthesës” për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.
Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit në shkurt të këtij viti, Abazoviç u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit në fund të prillit.
Çfarë ndodh tani në Malin e Zi?
Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020.
Në periudhën në vijim partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.
Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t’i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, për t’i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë.
Në shtator votohet shkarkimi i kryetares së Kuvendit të Malit të Zi
Më 2 shtator, Kuvendi i Malit të Zi do të vendosë për shkarkimin e kryetares së Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq.
Kjo iniciativë është e Frontit Demokratik dhe Demokratëve opozitarë.
Në iniciativë thuhet se “kryesimi i Gjuroviçit është shënuar me shkelje të vazhdueshme të akteve që rregullojnë funksionimin e Kuvendit të Malit të Zi”.