Aktualitet Takimi “për larje hesapesh” përfundoi në vrasje gjakftohtë, hetuesit italianë zbulojnë pistën...

Takimi “për larje hesapesh” përfundoi në vrasje gjakftohtë, hetuesit italianë zbulojnë pistën kryesore për eliminimin shqiptarit

Elson Kalaveri shqiptari 36-vjeçar i cili banonte në Colle u qëllua për vdekje të enjten në Pisa të Italisë në një vend të dyshuar si vendtakim “për sqarim hesapesh”.

Kjo është pista kryesore e ndjekur nga karabinierët të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes nën drejtimin e zv/Prokurorit të Pizës Giancarlo Dominijanni.

Sipas rezultateve të hetimeve deri tani për kërkimin e vrasësve, rezulton se vrasja e shqiptarit është kryer me gjakftohtësi. Hetuesit po “gërmojnë” mbi të kaluarën e 36-vjeçarit, emri i të cilit është shfaqur në një hetim për përfshirje në një rrjet prostitucioni, por ai nuk është dënuar kurrë.

Në momentin e vrasjes Kalaveri ndodhej në sendiljen e pasagjerit të një Mercedes-Class me targë gjermane ku udhëtonte së bashku me një tjetër person. Makina ishte e pajisur vetëm me targën e pasme ndërsa targa e përparme nuk u gjet, çfarë përbën edhe një tjetër mister lidhur me këtë ngjarje.

Bashkudhëtari i tij eci edhe rreth 1 kilometër për të kërkuar ndihmë, por pak minuta më vonë 36-vjeçari ndërroi jetë. Ai u qëllua të paktën 15 herë me armë zjarri.

Sipas të dhënave autorët e ngjarjes kanë qenë tre persona të cilët u larguan menjëherë me një automjet me xhama të errët.

Tashmë pritet deklarata e personit që ndodhej me Kalaveri në momentin e krimit për të mësuar nëse vrasësit qëlluan ndërkohë që makina ishte në lëvizje, apo kanë qenë në një takim e më pas kanë ikur me makinë. Duke pasur parasysh vendin e izoluar të ngjarjes, hetuesit dyshojnë se ka qenë një takim, ose një pritë që përfundoi në një tragjedi.

Ndërkohë priten ende rezultatet e ekspertizës balistike për të zbuluar se sa dhe cilat armë kanë qëlluar.