Dy efektivë të ushtrisë shqiptare, Aldo Bici dhe Ardian Caka, janë plagosur mbrëmjen e të shtunës pasi janë përleshur me tre shtetas rusë që donin të hynin në uzinën ushtarake në Gramsh.
Të dy efektivët janë shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes tha se gjendja shëndetësore e tyre është e stabilizuar.
Më herët, Ministria e Mbrotjes njoftoi për incidentin e rëndë.
“Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë”, tha Ministria.
Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.