Aktualitet Policia jep detajet: Si ndodhi sulmi i rusëve në uzinën e Gramshit

Policia jep detajet: Si ndodhi sulmi i rusëve në uzinën e Gramshit

Policia e Gramshit dha disa detaje zyrtare lidhur me sulmin e ndodhur në uzinën ushtarake këtë të shtunë.

“Nga shërbimet e Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, është njoftuar se ne afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake”.

“Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij.

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, Mikhail Zorin, 24 vjeç, në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe, dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj

Për këtë ngjarja janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën”.