Ish i dërguari i SHBA në Kosovë, Richard Grenell ka reaguar pas ngjarjes së ditës së diel në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh, ku u ndaluan tre shtetas, dy rusë dhe një ukrainase të cilët dyshohet se janë agjentë të FSB-së.
Përmes një reagimi në Twitter Grenell shkruan: “Mos e kruani me ushtrinë shqiptare”.
Incidenti në Uzinën e Gramshit, ka ndodhur rreth orës 17:40 pasi roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.
Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi.
Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij.
Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.
Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç.
Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjeç.