Filozofi rus Alexander Dugin i konsidereruar nga mediat si “udhërrëfyesi shpirtëror” i Vladimir Putinit, i ka shpëtuar për pak një sulmi me bombë në makinë që hodhi në erë vajzën e tij.
Filozofi dhe propagandisti rus që thuhet se është arkitekt i luftës së Ukrainës dhe i quajtur “Rasputini i Putinit” ndërroi makinat në minutën e fundit të shtunën në mbrëmje.
Ai dhe vajza e tij ishin të ftuar nderi në festivalin e familjes Tradita dhe kishin planifikuar të largoheshin së bashku, sipas violinistit dhe mikut të tij Peter Lundstrem.
Por Dugin hipi në një automjet tjetër dhe pa e ditur iu shmang tentativës për atentat, por vajza e tij nuk i shpëtoi.
Disa minuta më vonë, filozofi i ekstremit të djathtë u filmua duke mbajtur kokën i tmerruar teksa qëndronte para vendit të ngjarjes.
Darya thuhet se është vrarë menjëherë kur Toyota Land Cruiser Prado e saj shpërtheu në periferi të kryeqytetit të Rusisë.
Ajo ishte bërë një figurë publike më vete si një “analiste politike” dhe redaktore e botimit pro Putinit United World International.
Disa orë para vdekjes së saj, Darya ishte fotografuar duke shëtitur nëpër ngjarje prestigjioze me babanë e saj, filozofin e njohur si “Truri i Putinit“.
Mediat lokale e cilësuan shpejt shpërthimin si një atentat ndaj autorit rus.
Denis Pusilin, kreu i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetsk, pretendoi se Dugin ishte objektivi i synuar. Ai konfirmoi se Darya kishte vdekur dhe fajësoi “terroristët e regjimit ukrainas”.
Ai tha në Telegram: “I bekuar kujtimi i Darias, ajo është një vajzë e vërtetë ruse!”
Siç shkruan “The Sun” Darya u vendos në listën e sanksioneve nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA në prill për drejtimin e një “platforme për ultra-nacionalistët rusë për të përhapur dezinformata dhe propagandë”.
Në mars ajo ishte shfaqur në një intervistë me YouTuber-in rus, Nikolai Rosov, ku ajo e quajti Perëndimin dhe Evropën “racistë totalitarë, kolonialistë dhe nazistë”.
Ajo mbështeti me vendosmëri pushtimin e Ukrainës, duke bërë thirrje për “unitet absolut” në vendin e saj, duke shtuar: “Nuk lejohen zëra të tjerë”.
Babai i saj i famshëm, Dugin, nuk ka asnjë rol zyrtar në qeveri, por thuhet se është një mik i ngushtë dhe këshilltar me ndikim jashtëzakonisht të madh i Presidentit rus.
Ai bashkëthemeloi Partinë Kombëtare Bolshevike në vitin 1993, përpara se të bëhej një figurë e shquar fashiste dhe mbështetës i Putinit.
Ai bëri thirrje për një pushtim të Ukrainës dhe beson se Moska ka të drejtën të sundojë mbi të gjithë Evropën dhe Azinë.
Shkrimet e tij të cilat janë kërkuar të lexohen nga ushtarët rusë – shpallin një botëkuptim paranojak duke promovuar kërkesën e tij që Moska të kontrollojë gjithçka “nga Vladivostok në Dublin”.
Ai është më i famshëm për librin e tij të vitit 1997 “Themelet e gjeopolitikës”, ku paraqet ideologjinë e tij ultranacionaliste dhe neofashiste të euroazianizmit.
Ai gjithashtu doli me nocionin ekstremist të “Rusisë së re“, që thuhet se e ka frymëzuar Putinin të aneksojë Krimenë në vitin 2014 përpara se t’i vërë sytë në pjesën tjetër të Ukrainës.
Dugin beson se Rusia është rimishërimi i kohëve moderne i “hiperboreanëve” të lashtë, të cilët duhet të qëndrojnë në kundërshtim me “atlanteanët” e ditëve moderne, Shtetet e Bashkuara.
Ekspertët kanë paralajmëruar se lufta aktuale në Ukrainë mund t’i ketë dhënë Dugin një “fushë të re ndikimi” mbi Kremlinin.