Politika Berisha: Kërcënimi madhor i sigurisë kombëtare vjen nga Edi Rama

Berisha: Kërcënimi madhor i sigurisë kombëtare vjen nga Edi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si kërcënimin më madhor të sigurisë kombëtare të vendit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, duke folur për ngjarjen në uzinën e Gramshit, Berisha tha se përdorimi i sprejit neuroparalizues nga rusët e rëndon më shumë situatën e tyre.

“Agresorët e ushtarëve në detyrë u ndaluan dhe janë nën hetim. Cila është lidhja e tyre me shërbimet duhet të qartësohet, por e vërteta është se përdorimi i lëndëve neuroparalizuese dhe toksike kundër ushtrave komprometon thellësisht misionin e tyre “turistik”. Kërcënimin më të madh në këto vite ndaj sigurisë kombëtare me akte madhore e ka bërë personalisht Edi Rama. Po ju rikujtoj se 5 vite më parë në një mënyrë të pashembullt në historinë e një vendi të lirë apo jo, mediat shqiptare publikuan të gjithë organigramën e SHISH, emër, mbiemër, degë dhe funksion. Publikuan dhe rrogat e tyre duke ekspozuar kështu këtë shërbim ndaj të gjitha shërbimeve të tjera jomiqësore. Këtë e ka bërë Edi Rama sepse askush tjetër në Republikën e Shqipërisë përveç Kryeministrit që firmos çdo vit strukturën e SHISH, ka të drejtë të njihet me të apo ta kërkojë atë. Kjo rrjedhje, një goditje e rëndë për shërbimin, u bë nga Ministria e Financave, çka e bën atë përgjegjëse direkte, por nuk mund të kishte kurrë organigramën e punonjësve të SHISH”.

“Ballkanin e Hapur” Sali Berisha e konsideron projekt të Rusisë dhe Serbisë, dhe sipas tij, kjo përbën kërcënim për vendin tonë.

“Sot ka një konfrontim midis NATO, BE dhe Rusisë së Putinit dhe aleatëve të tij. Sot shërbimet serbe dhe ruse janë në sintoni të plotë, në bashkëpunim të ngushtë. Për ata që venë gjë në dyshim, po ju rikujtoj deklaratën e Vuçiç i cili gjatë vizitës së tij në Uashington do deklaronte se ‘shërbimet më kishin njohur me tekstin e marrëveshjes që do na servirej’. Ajo për të cilën unë jam këtu është se ka një projekt tjetër madhor për Ballkanin, projekt serbo-rus dhe ky është Ballkani i Hapur. Ky projekt u mbështet para 2 muajve haptas publikisht nga ministri i Jashtëm rus Lavrov. Dhe ky projekt mbështetet po kaq fuqimisht nga vasali i Aleksandër Vuçiç në Tiranë, Edi Rama. A nuk është ky një akt kërcënim madhor të sigurisë kombëtare nga Edi Rama? Problemi madhor për Shqipërinë dhe sigurinë kombëtare është se sot është në krye të qeverisë së vendit”, u shpreh Sali Berisha.