Luiza Gega u nderua sot nga Kryeministri Edi Rama me Yllin e Mirënjohjes Publike pasi u shpall kampione europe në garën e 3 mijë metrave me pengesa në Kampionatin Europian që u mbajt në Mynih.
Gjatë fjalës së saj pasi u vlerësua, Luiza Gega ndër të tjera zbuloi edhe prapaskenat që kanë ndodhur gjatë rrugëtimit të saj të vështirë në atletikë.
Sportistja 33-vjeçare tregoi se ka patur oferta dhe nga shtete të tjera për t’i përfaqësuar, por ajo ka refuzuar.
“Kam pasur dhe oferta për të vazhduar me shtete të tjera, por unë e dua këtë vend. Do vijë një ditë që dhe vendi ynë do ndryshojë. Jam shumë krenare që ky ndryshim ka ndodhur. Kemi vërtetë gjëra për të përmirësuar. Por kemi ecur shumë përpara, kemi ligjin e sportit, kemi mbështetjen e bashkisë, kemi mbështetjen nga Kryeministri”, tha Luiza Gega.