Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku tha se Bordi i Transparencës nuk ndikon në çmimin e naftës.
Në përgjigje të interesit të mediave lidhur me çmimin e lartë të naftës në vendin tonë Balluku përgënjeshtroi lajmet për uljen e çmimit të naftës në Bursë.
“Bordi i Transparencës është aty për të kontrolluar dhe për të bërë transparencë publike. Është e rremë që çmimi në bursë ka rënë. Ata i referohen çmimit krudo, ne i referohemi produktit diezel. Është transparente të shihet si janë çmimet sot në bursë”, tha Balluku.
Sipas Ballukut, çmimi më i lartë i naftës në Shqipëri ka lidhje vetë me taksat e inkorporuara brenda këtij çmimi, ndryshe nga vendet e rajonit që e kanë të ndarë.
Më tej, Balluku tha se qeveria ka vendosur të shtrijë edhe me tre muaj të tjerë kompensimin për shoqëritë e linjës e transportit ndërqytetës dhe qytetas.
Pas mbledhjes së qeverisë Balluku u shpreh për mediat se vendimi është në vazhdën e paketës antikrizë dhe nuk do të ketë impakt në buxhetin e shtetit.
“Kjo paketë të qëndrojë në fuqi për muajin gusht, shtator dhe tetor. Kemi përcaktuar një masë kompensimi për kompanitë e transportit si pjesë e paketës antikrizë duke pasur parasysh se transporti rrugor mban një peshë shumë të madhe në vend. Nuk do të ketë impakt shtesë në buxhetin e shtetit pasi është parashikuar që nga fillimi i vitit në paketën antikrizë”, – tha Balluku.