Gazetarja Klodiana Lala ka treguar për Euronews Albania dëshminë e vajzës që shoqëronte Ervis Martinajn në Durrës, natën e 5 gushtit.
Gazetarja u shpreh se e reja që është figurë publike, ka deklaruar para autoriteteve se kontaktin fizik me Martinajn e ka pasur me 5 gusht, ndërsa ka shkëputur çdo kontakt me 40-vjeçarin me 7 gusht.
Sipas gazetares, vajza e cila është figurë publike, kishte lidhje intime me të shumëkërkuarin.
Ndërkohë Lala ka treguar dhe deklaratën e babait të Martinajt.
“Babai i tij Mustafa Martinaj, thotë se kontaktin e fundit me djalin, nuk e tregon nëse e ka pasur në mënyrë direkte apo me persona të tjera, e ka pasur në datën 9 gusht në orën 17:30 minuta. Ai pretendon se nga ora 17:30 minuta deri në orën 22 të asaj mbrëmje Martinaj mund të jetë marrë peng dhe mund të jetë zhdukur”, tha Lala.
“Ervis Martinaj u bë bos i krimit se kishte mbështetje të forta shtetërore”
Gazetarja Klodiana Lala u shpreh më tej se Ervis Martinaj u bë një bos i krimit sepse kishte mbështetje të forta shtetërore.
Ajo tha se jo pa qëllim zgjodhi si shoqërues të kishte Jeton Lamin, pasi ky i fundit i plotësonte të gjitha kriteret që ai donte, duke qenë se ishte dhe agjent i Forcave Operacionale.
“Ervis Martinaj u bë një bos i krimit përderisa kishte mbështetje të forta shtetërore. Ai nuk e zgjodhi rastësisht Jeton Lamin. E zgjodhi disa kritere që ta shoqëronte ai. Së pari sepse ishte i skuadrës së Posaçme Operacionale që kanë databasën e personave të kërkuar, dhe normalisht ka informacion për lëvizjet e personave të kërkuar. Në momentin që Martinaj i duhet të lëvizte, i duhej të kishte rrugën e lirë dhe këtë e merrte përmes Lamit. E treta i duhej një person i besueshëm që të mos e shiste te kundërshtarët”, tha Lala.
Ervis Martinaj dyshohet se javët e fundit ishte strehuar në qytetin e Durrësit, ndërkohë që familjarët e tij e denoncuan në polici se kishin humbur çdo lloj kontakti me të.
Deri më 13 gusht, Martinaj është strehuar në këtë qytet dhe më pas dyshohet punonjësi i polici Jeton Lami e ka transportuar atë drejt qytetit të Tiranës.
Burimet bëjnë me dije se Martinaj zgjodhi Lami për ta transportuar në këmbim të ryshfetit, pasi ky i fundit ka pasur informacion se ku ndodheshin postblloqet e Policisë. Në këtë mënyrë Martinaj mund të lëvizte pa problem dhe pa u pikasur nga punonjësi i policisë.