Prokuroria e Posaçme ka kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë për llogaritë bankare të ish-Presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhit dhe disa zyrtarëve të tjerë të LSI.
Në shkresën e dërguar bankave janë kërkuar të dhëna edhe për transaksionet e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sipas Tv Klan, shkresat me kërkesë informacioni për këta persona janë dërguar edhe pranë Tatimeve.
Hetimi i SPAK është regjistruar për dy akuza, atë të korrupsionit pasiv të zyrtarëve dhe falsifikimit të dokumenteve, por ende nuk është regjistruar asnjë emër personi nën hetim.
Të dhënat që do të dalin nga verifikimi pasuror, thonë burimet, janë thelbësore për hetimet e mëtejshme, që lidhet me pyetjen e personave të kallëzuar.
Për shkak të dyshimeve të ngritura në kallëzim, SPAK po verifikon edhe kontratat e lobimit, por edhe në këtë rast do të jetë analiza financiare që do ndihmojë Prokurorinë e Posaçme nëse do kërkojë informacione më të thelluara në Amerikë, me anë të letërporosive.
Hetimi i SPAK nisi pas padisë së bërë nga ish-deputeti Halit Valteri kundër Metës dhe disa zyrtarëve të tjerë të LSI për fshehje të pasurisë në lidhje me një kontratë lobimi në SHBA, bazuar në disa shkrime të mediave të huaja.