Kryesore Pensionet me Shqipërinë, Zvicra gati të miratojë marrëveshjen

Pensionet me Shqipërinë, Zvicra gati të miratojë marrëveshjen

Qeveria zvicerane sapo ka çuar në parlament për miratim Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Zvicrës.

Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama me një shënim në Facebook.

Duke e cilësuar lajm të mirë, kreu i qeverisë u shpreh se “kjo marrëveshje mes Shqipërisë dhe Zvicrës synon kryesisht koordinimin për pensionin e pleqërisë, statusin e invaliditetit, të të mbijetuarit, garanton trajtim të barabartë të të siguruarve, disiplinon derdhjen e kontributeve jashtë vendit dhe eviton rastet e taksimit të dyfishtë apo abuzimeve”.

“Miratimi i marrëveshjes në parlamentet e dy vendeve, do të konkretizojë punën disavjeçare të qeverisë së Republikës së Shqipërisë me institucionet kompetente zvicerane”, tha Rama.

Marrëveshja i mundëson qytetarëve që të marrin pensione edhe kur jetojnë jashtë vendit, ndërsa të dy qeveritë do kenë një bashkëpunim më të mirë në parandalimin e mashtrimeve dhe abuzimeve me sigurimet shoqërore. Ajo gjithashtu lehtëson lëvizshmërinë e qytetarëve zviceranë dhe shqiptarë dhe i mbron ata nga kontributet e dyfishta të sigurimeve shoqërore.