Dy vjet nga vrasja e Ilir Zelkës brenda një restoranti në një nga lagjet më të shtrenjta në Brazil: në Jardins, në São Paulo ende nuk ka një autor të arrestuar.
Ilir Zelka u qëllua për vdekje, në mes të ditës, brenda restorantit “Zurich” në dhjetor 2020.
Gazetarët investigativë të televizionit brazilian R7 i kanë dedikuar një emision vrasjes së mistershme të biznesmenit Ilir Zelka.
Familjarët thonë se nuk kanë asnjë informacion mbi hetimet.
Prova më e fortë që policia ka deri tani është motori i përdorur në krim, i braktisur nga vetë vrasësi. Ndërkohë që një orë pas krimit kamerat filmuan autorin teksa kalonte me motor në rrugën “Alameda Joaquim Eugenio de Lima”. Mjeti është në emër të një burri që jeton në Curitiba.
Investigimi zbulon se Zelka ka qenë nën shoqërinë e një gruaja e cila duket se luante dhe rolin e përkthyeses gjatë qëndrimit në Brazil.
“Nga hetimet Ilir Zelka nuk kishte mbërritur në Brazil për turizëm seksual por erdhi me një propozim konkret për të ndihmuar një shqiptar të dalë nga burgu” thote gazetari.
Bëhet fjalë për një shqiptar, me emrin Dritan i cili ishte arrestuar në Rio de Zhanero në 2017 për trafik ndërkombëtar droge.
Ai ishte martuar me një shtetase braziliane. Në dokumentet e policisë thuhet se Aline, bashkëshortja e Dritanit është takuar me Ilir Zelkën, i cili ishte prezantuar si daja i Dritanit dhe me shumën 15 mijë euro do të punësonin një avokat për këtë të fundit.
Aline komunikonte me mesazhe me Dritanin në burg. Kur Ilir Zelka u vra ajo i shfaqi shqetësimin e saj Dritanit. Gjithashtu ajo është kapur duke folur me shqiptarin.
Ilir Zelkes iu sekuestruan dy aparate celulari. Në një nga këto ishte instaluar aplikacioni Skyecc, që sipas policisë është një aplikacion i kodifikuar shumë i përdorur nga organizatat e trafikut të drogës në Europë për të fshehur bisedat. Në telefonin tjetër u gjetën foto me pako me kokainë dhe një vendi që duket si port.
Gjithashtu u identifikuan dhe mesazhe me një person me emrin Gordo, që janë dërguar në gjuhën shqipe mëngjesin kur ndodhi vrasja.
Ilir Zelka u ekzekutua dy vite më parë në Sao Paulo teksa ishte duke konsumuar mëngjes në Bar Restorant “Zurich”.
47-vjeçari shqiptar u qëllua nga një person që afrohet me motor dhe që mban në kokë kapele dhe syze, ndërsa në njërën dorë ka edhe kaskën e motoçikletës.
Zelka u dërgua me urgjencë në spital, por pa mundur t’i shpëtojë plagëve të marra. Autoritetet e policisë braziliane kanë deklaruar se kanë nisur hetimet por pa dhënë detaje më shumë. Ndërkohë që familjarët nuk besojnë se vrasja ka lidhje me trafikun e drogës.
“Nëse do të ishte kështu njerëzit do flisnin. Jemi një vend i vogël”, thotë një person në telefon gazetarit brazilian, që duket se është i biri i Ilir Zelkës.