Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka reaguar pas kallëzimit penal të kryer nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të këtij institucioni.
Autoriteti i Dosjeve ka deklaruar se “akuzat e Metës janë të pabazuara e dashakeqe ndaj institucionit dhe fyese për dinjitetin e secilit prej anëtarëve”.
Në njoftim, thuhet se autoriteti është i hapur të bashkëpunojë me institucionet ligjzbatuese e të gjithë të interesuarit, dhe fton institucionet të kryejnë detyrën mbi materialet që administron me ligj, që prej krijimit të tij.
Autoriteti thotë se “garanton publikun për kryerje me integritet, përgjegjësi profesionale dhe jashtë ndikimit politik të veprimtarisë së tij për ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.
Ndër të tjera, bëhet e ditur se “çdo veprimtari e Autoritetit është e bazuar në akte ligjore dhe nënligjore, në vendimmarrje kolegjiale, e shoqëruar me dokumentacion të protokolluar, lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë”.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kallëzuar Autoritetin e Dosjeve, ashtu siç e kishte paralajmëruar pak javë më parë.
Meta sqaron se kallëzimi është bërë për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i ka bërë ky institucion, ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ai hodhi akuza edhe ndaj Ramës, ndërsa tha se “kemi të bëjmë me një shantazh politik”.