Gazetari Artan Hoxha ka treguar në emisionin ‘Opinion’ itinerarin e lëvizjes së Ervis Martinaj, ditët e fundit para se ai të zhdukej dhe të vihej në pikëpyetje fati i tij. Ai tregon se ditët e fundit Martinaj kishte bërë pushime në Dhërmi. Gjithashtu i shumëkërkuari lëvizte pa eskortë, ai nuk i besonte askujt e madje sipas asaj që thotë gazetari, Martinaj edhe kur komunikonte me familjen e tij nuk u thoshte vendndodhjen e vërtetë.
Sipas Hoxhës, ai ishte në komunikim të vazhdueshëm me familjen e tij dhe nuk rrinte më shumë se dy orë pa komunikuar me ta. Për të komunikuar me familjen përdorte një aparat celular i cili nuk përgjohej, ndërsa komunikimin e tij të fundit me familjen e pati kur ishte interesuar nëse kishte shkuar dikush për të ushqyer luanin e tij.
Artan Hoxha: Në datën 1 Gusht, unë isha në Borsh, ti ke qenë në Palasë, ai ka qenë në Dhërmi nga data 1 deri në datën 5 ka qenë në Dhërmi, ka bërë pushime deri në datën 5. Në datën 5 pasdite ka ardhur kur shfaqet te hoteli në Durrës.
Blendi Fevziu: Po është e filmuar nga kamerat, verifikuar.
Artan Hoxha: Ditën e premte, ditën e shtunë në orën 11, e ka marrë shoferi. Ka shkuar te Ring Center, pastaj afër QTU-së, nga aty ka ardhur prapë në qendër të Tiranës. Kjo tregon se sa lirshëm lëvizte ai. Se sa i rëndësishëm është e tregon numri i të vrarëve. Pra tregon se ai nuk ka lëvizur me eskortë.
Blendi Fevziu: Eskorta mund ta tradhtonte.
Artan Hoxha: Ai as vetë nuk e di se ku fle, ku e zë nata. Tani vijmë te elementët e ngjarjes. Deri në datën 9, ditën e martë, ai ka patur kontakt. Ervis Martinaj kishte një element, që koha më e gjatë që rrinte pa komunikuar me familjen ishte 2 orë. Çdo 2 orë komunikonte me familjen.
Blendi Fevziu: Me çfarë komunikonte?
Artan Hoxha: Me telefon.
Blendi Fevziu: Nuk ishte në përgjim?
Artan Hoxha: Ai kishte një celular që ishte shumë i vështirë për t’u përgjuar.
Blendi Fevziu: Kur është komunikimi i fundit Hoxha?
Artan Hoxha: Unë kam vajtur për të takuar njerëzit e tij, pasi kam folur publikisht se çfarë ka ndodhur. Atje kam parë me sytë e mi komunikimet. Ai kishte komunikim permanent me familjen. Diku rreth orës 17:00 të ditës së martë, është interesuar pasdite, ai ka marrë një luan, e morën këlysh. E ke në ‘Instagram’ se gjithë miss-et kanë bërë foto me të, ai është interesuar a ka shkuar njeri për të ushqyer luanin. Komunikimi i fundit i tij ka qenë me xhaxhain e vetë, në orën 19:23 minuta dhe nga ai moment nuk ka patur më komunikim.