Histori “Ja si rimëkëmbet Shqipëria”, deklarata e Turhan Pashës për “La Tribuna” më...

“Ja si rimëkëmbet Shqipëria”, deklarata e Turhan Pashës për “La Tribuna” më 1914

Turhan Pashë Permeti (1846 – 1927)

Nga Aurenc Bebja*, Francë

“Stamboul” ka botuar, të shtunën e 21 marsit 1914, në faqen n°2, intervistën ekskluzive të Turhan Pashës dhënë asokohe korrespodentit special të “La Tribuna” në Durrës në lidhje me rimëkëmbjen e Shqipërisë, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Deklaratat e Turhan Pashës

Romë, 20 mars.

La Tribuna publikon një intervistë që korrespondenti i saj special në Shqipëri ka pasur në Durrës me Turhan Pashën.

Kryeministri shqiptar deklaroi se ka synimin e vendosur të zbatojë një program të rimëkëmbjes ekonomike të Shqipërisë duke filluar me zgjidhjen e problemeve kryesore, pra hapjen e porteve dhe ndërtimin e rrugëve, sepse në mungesë të mjeteve të komunikimit, Shqipërisë i mungon jeta aktive. Duhet t’i tregojmë botës, shtoi shtetari i shquar, se Shqipëria është e aftë të punojë për rimëkëmbjen e saj dhe zhvillimin e brendshëm.

Prandaj do të na duhet të rrisim (përmirësojmë) kushtet e bujqësisë, të aktivizojmë prodhimet, të transformojmë kënetat.

Duke folur për politikën e jashtme, Turhan Pasha pohoi se Shqipëria duhet të bëhet një element paqeje dhe moderimi në Ballkan.

Ai përfundoi duke uruar që i gjithë kombi shqiptar të mblidhet rreth ministrisë kombëtare, në mënyrë që ta mbështesë në detyrën e mundimshme që ka marrë dhe të meritojë kështu simpatinë e Evropës. – (Ag. It.)

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania