Paul Pogba i provoi të gjitha mënyrat që ta evitonte operacioni, por në fund nuk ia doli dot.
Pogba do t’i nënshtrohet një operacioni në gju këtë mbrëmje për shkak të problemeve me meniskun.
Vendimi është marrë pas dy seancave stërvitore në fushë (dje dhe sot), ku lojtari francez i Juventusit ka ndjerë sërish dhimbje dhe e ka kuptuar që ndërhyrja kirurgjikale është e pashmangshme.
Dëmtimi ndodhi më 24 korrik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe lojtari, pas disa konsultave, kishte vendosur të zgjidhte terapinë konservative.
Por pesë javët e punës nuk sollën rezultatin e dëshiruar dhe sot Pogba vendosi t’i nënshtrohet operacionit.
Ish-mesfushori i Manchester United mund të jetë sërish i disponueshëm brenda pesë deri gjashtë javësh maksimumi, pra rreth mesit të tetorit. Ai dëshiron me çdo kusht të luajë në Botërorin “Katar 2022”, por nëse nuk vjen në formë pas operacionit rrezikon ta humbasë.