Aktualitet Meta akuzon Bashkinë Shijak për ndotje mjedisore, Policia arreston 47-vjeçarin për djegie...

Meta akuzon Bashkinë Shijak për ndotje mjedisore, Policia arreston 47-vjeçarin për djegie gomash

Duke postuar një video në Facebook ku sipas tij po digjeshin plehra në Shijak, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi të martën bashkinë e atij qyteti për ndotje mjedisore.

“Nuk ka rënë bombë atomike, por thjesht Bashkia e Rilindjes në Shijak djeg tonelata me plehra duke helmuar banorët dhe bërë krime mjedisore. Normal, se lekët e inceneratorëve vidhen nga grupi i strukturuar kriminal, ndërsa banorët terrorizohen që të mos protestojnë”, tha Meta.

Policia e Shijakut njoftoi më vonë se për ngjarjen kishte arrestuar një 47-vjeçar që, sipas tyre, po digjte goma makinash.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak menjëherë pas marrjes së njoftimit për ndotje të ajrit si pasojë e djegies së gomave të makinave dhe sendeve të tjera, në fshatin Sallmonë, Shijak, kanë organizuar punën dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, konkretisht të shtetasit: A. M., 47 vjeç, banues në Sallmonë, Shijak, pasi në këtë fshat kishte djegur goma, sedilje makinash dhe mbetje të tjera plastike, me qëllimin nxjerrjen e materialeve metalike, duke shkaktuar ndotje të madhe të ajrit”, tha policia.

Sipas saj, të arrestuarit iu sekuestrua një karrocë dore, me të cilën transportonte materialet metalike që nxirrte nga djegia e këtyre sendeve. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.