Kryeministrja e re e Britanisë nuk ka humbur kohë dhe ka formuar kabinetin e saj qeverisës.
Në postet kyçe, Liz Truss ka emëruar besnikët e saj që e mbështetën në garën për kryetare të konservatorëve, ndërsa ka larguar mbështetësit e rivalit Rishi Sunak.
Ndërkohë, pritshmëritë e qytetarëve për performancën e saj janë të ndryshme.
Celebrime, por dhe një listë e gjatë me detyra, të udhëhequra nga çmimet e rritura të energjisë dhe afrimi i recesionit ekonomik, presin kryeministren e re të Britanisë.
Për të pasur sukses në misionin e saj, Truss i kaloi orët e para në Downing Street duke larguar disa nga anëtarët e vjetër të kabinetit dhe duke caktuar të rinjtë.
Emërimet u bënë me shpejtësi dhe mes tyre dominojnë personazhet që e mbështetën në garën për kryeministre.
Kështu, ministër i Financave do të jetë Kwasi Kwarteng; ministre e Brendshme Suella Braverman, në vend të Priti Patel; Therese Coffey në dikasterin e Shëndetësisë dhe zëvendës kryeministre, duke u bërë bashkë me Truss dyshja e parë tërësisht femërore në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkohë, James Cleverly do të bëhet ministër i Jashtëm, duke zëvendësuar në këtë post vetë Truss; ndërsa Ben Wallace do të vazhdojë të qëndrojë në postin e ministrit të Mbrojtjes, që e mban që prej 2019-s.
Formimi i një kabineti me një staf besnikësh mund të kërkojë pak kohë, por edhe mund të shkaktojë një rebelim tek mbështetësit e konservatorëve, për shkak të mungesës së emërimeve nga radhët e rivalit të saj për kreun e konservatorëve, Rishi Sunak. Sikurse fansa, Truss ka edhe kritikë të shumtë.
“Përse jam këtu? Sepse e mbështes Liz Truss dhe mendoj se do të jetë një kryeministre e madhe për vendin tonë”, tha Jake Garnham, mbështetës i konservatorëve
“Mendoj se kryeministrja e re do ta zhgënjejë vendin. Nuk besoj se është e përshtatshme për këtë detyrë. Dikur ajo ka qenë liberal-demokrate, ndërsa tani nuk është më. Ka mbështetur qëndrimin në BE, ndërsa tani jo më”, u shpreh Khush Malde.
Sikurse është tipike për Londrën, reshje shiu ranë në paradën e Truss para Downing Street, por ky është i fundit i problemeve të saj tani që fillon punën.