Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të paketës antikrizë u shpreh se do të vazhdojë programi i rritjes së pagave për sektorët prioritarë. Ai u shpreh se do të rriten sërish pagat për ushtarakët, mjekët, infermierët dhe mësuesit. Rritje pagash do të ketë edhe për efektivët e Policisë së Shtetit dhe Policisë së Burgjeve.
“Do të vazhdojmë programin e rritjes së pagave siç është paralajmëruar për sektorët prioritarë me buxhetin dhe në afatin e vitit të ardhshëm. Pasi kemi rritur me efekt nga muaji korrik pagat për ushtarakët, mjekët, infermierët, mësuesit, do t’i rrisim përsëri. Sot me ndërhyrjen e dytë dhe me një paketë rezistence afatmesme do të rrisim pagat për administratën që nuk ishin prekur prej shumë kohësh dhe jo pa qëllim për hir të së vërtetës. Do të rrisim po ashtu pagat për Policinë e Shtetit dhe për Policinë e burgjeve. Edhe këto trupa që kishin mosrritje pagash prej disa kohësh pas një rritje masive që kishin marrë disa muaj më parë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi se ndërhyrja tjetër në këtë krizë do të jetë rritja e pagës minimale që do të shkojë në 34 mijë Lekë nga 32 mijë Lekë që është aktualisht. Kreu i qeverisë bëri me dije ndër të tjera se do të riindeksohen pensionet. Riindeksim do të ketë edhe për ndihmën ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Po ashtu do të rritet me 10% ndihma ekonomike. Për nënat kryefamiljare me dy fëmijë, kreu i qeverisë tha se do të dyfishohet ndihma ekonomike.
“Me këto ndërhyrje besojmë që i kapërcejmë në aspektin financiar paketat e natyrës një pako për dy apo për tre muaj dhe pastaj nuk ka tjetër dhe krijojmë një bazë të rëndësishme të zgjeruar rezistence të të gjitha këtyre kategorive në raport me situatën e inflacionit dhe garantojmë me laps në dorë mos rënien dramatike të fuqisë blerëse, por përkundrazi vazhdimin e një lëvizje në ekonomi sikundër e kemi parë deri më sot”, u shpreh Rama.