Të gjithë ata që normalisht në dimër shpenzojnë më shumë se 800 kw energji, që i korrespondon një fature prej 7,600 lekësh në muaj, do ta paguajnë energjinë shtesë shumë më shtrenjtë.
Ministrja e energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka sqaruar se çdo kilovat mbi 800 kWh do të paguhet me çmimin e tregut. Ajo bëri të ditur se çmimi i energjisë do të rritet në 42 lekë (çmimi i sotshëm i tregut) për të gjitha familjet që shpenzojnë mbi 800 kWh, nga 9.5 lekë, që është sot tarifa për gjithë sasinë e energjisë së konsumuar, apo 4.4 herë më shumë. Çmimi i tregut ndryshon dhe nëse energjia në bursa shtrenjtohet më shumë në dimër, mund të jetë edhe më lart.
Psh, nëse një familje do të konsumojë 900 kWh në muaj, pagesa finale mujore tashmë do të jetë 11,800 lekë, nga 8,550 lekë që ishte më parë, ose 38% më shumë, pasi vetëm për 100 KW shtesë, familja do të paguajë 4,200 lekë.
Nëse konsumi rritet në 1000 kWh orë në muaj, fatura finale do të jetë 16 mijë lekë, nga 9,500 lekë që është sot, ose 68% më shumë, pasi për shtesë prej 200 kWh do paguhet 8,400 lekë.
Sa më shumë të rritet konsumi, aq më e lartë do të jetë fatura mujore. Nëse konsumi shkon 1000 kw, fatura totale do të jetë 20.2 mijë lekë, nga 10.4 mijë lekë që ishte më parë, ose gati dyfish. Për shtesën prej 300 KW do të paguhet 12.6 mijë lekë.
Ministrja e energjisë tha se vetëm 4% e familjeve në vend shpenzojnë më shumë se 800 kWh në muaj, por në dimër shumë familjeve mesatarisht u vjen fatura më e lartë sesa 7,600 lekë në muaj, ndërsa në verë fatura ulet. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ngrohen me energji./Monitor