Sport Divorci dhe e dashura e re, si Tuchel humbi besimin e lojtarëve...

Divorci dhe e dashura e re, si Tuchel humbi besimin e lojtarëve të Chelsea-t

Jeta private e Thomas Tuchelit, trajnerit të saposhkarkuar nga pronarët e Chelsea-t, ka qenë një temë e nxehtë edhe në dhomat e zhveshjes së skuadrës londineze ditët fundit.

Martesa e tij e dështuar dhe lidhja me një vajzë të re braziliane është bërë një çështje e diskutueshme edhe mes lojtarëve të Chelsea-t.

Tuchel u shkarkua dje pasi drejtoi skuadrën në vetëm shtatë ndeshje në sezonin 2022-2023 dhe 100 ditë pas fillimit të mbretërimin e Todd Boehly, i cili e bleu klubin për 4.25 miliardë stërlina nga Roman Abramovich.

Trajneri gjerman thuhet se kishte humbur besimin e skuadrës së Chelsea-t për shkak të karakterit të tij të vështirë dhe sjelljes së çrregullt, aq sa jeta e tij private kishte nxitur thashetheme në dhomat e zhveshjes, shkruan “The Independent”.

Në prill 2022, Tuchel dhe bashkëshortja e tij, Sissi, njoftuan se do të divorcoheshin pas 13 vitesh martesë. Miqtë e çiftit thanë se ata i kishin “shteruar të gjitha rrugët” dhe se nuk kishte asnjë shpresë për një pajtim.

Si rezultat, çifti paraqiti kërkesën për divorc dhe ndarja erdhi zyrtarisht në maj, pasi një gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Londrës pranoi kërkesën e tyre.

Nuk iu desh shumë kohë Tuchelit për të “harruar” martesën e tij, teksa u fotografua me të dashurën e tij të re braziliane, Natalie Max, më 28 korrik. Ata u panë duke pushuar në Sardenjë.

Sipas “The Independent”, sjellja e Tuchelit (lidhja me një vajzë shumë më të re) transformoi perceptimin e skuadrës për trajnerin. Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e vetme që Tuchel humbi kontrollin e dhomës së zhveshjes në Chelsea.

Lojtarët humbën besimin në vizionin e tij për klubin dhe taktikat që përdorte. Ai nuk konsiderohej më si “gjeniu” që i udhëhoqi drejt lavdisë në Champions. Madje lojtarët e Chelsea-t kishin filluar të ankoheshin se gjermani kërkonte diçka dhe në fund thoshte gjë tjetër.

Për këtë arsye, drejtuesit e rinj nuk e shihnin trajnerin gjerman si njeriun e duhur për një projekt afatgjatë.