Kryesore NATO dënon sulmin e Iranit ndaj Shqipërisë dhe paralajmëron përgjigje kolektive

NATO dënon sulmin e Iranit ndaj Shqipërisë dhe paralajmëron përgjigje kolektive

NATO ka dënuar sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë. Përmes një postimi në Twitter kreu i aleancës, Jens Stoltenberg shprehet se NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë sigurinë për të penguar dhe mbrojtur kundër kërcënimeve kibernetike.

“Dënoj fuqishëm sulmin e fundit kibernetik ndaj Shqipërisë, të cilin Tirana dhe aleatët e tjerë ia atribuojnë Iranit. NATO dhe ekspertët e Aleatëve po ofrojnë mbështetje. NATO është e përkushtuar të vazhdojë të rrisë sigurinë për të penguar dhe mbrojtur kundër kërcënimeve kibernetike”, shprehet Stoltenberg.

Aleanca thotë se përkushtohet për të mbrojtur infrastrukturën e saj kritike, duke forcuar sistemet mbrojtëse, ndërsa paralajmëron edhe ndërmarrjen e një përgjigjeje kolektive.

“Do të vazhdojmë të rrisim gatishmërinë tonë ndaj këtyre aktiviteteve kibernetike në të ardhmen dhe do të mbrojmë njëri-tjetrin kundër kërcënimeve, duke konsideruar edhe ndërmarrjen e përgjigjeve të përbashkëta. Presim që të gjitha shtetet të përmbushin përkushtimet e tyre ndërkombëtare dhe t’u përmbahen normave të sjelljes në hapësirën kibernetike”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

Ambasada iraniane u boshatis sot pas ultimatumit të dhënë një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama që i la 24 orë stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet brenda 24 orëve nga Shqipëria.

Rama deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, vjen pas u zbulua se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, qëndron Republika Islamike e Iranit.