Britania e Madhe në ankth, për gjendjen shëndetësore të Mbretëreshës Elizabeth II. Përmes një deklarate, Buckingham Palace njoftoi se sundimtarja është nën mbikëqyrje mjekësore në kështjellën Balmoral në Skoci, pasi mjekët janë të shqetësuar për shëndetin e saj.
“Pas vlerësimeve të mëtejshme paraditen e së enjtes, mjekët janë të shqetësuar përshëndetin e Madhërisë së saj dhe kanë rekomanduar që Mbretëresha të jetë nën mbikëqyrjen e tyre”, thuhet në deklaratën e pallatit mbretëror. Siç mësohet, Princi Charles dhe bashkëshortja e tij Camilla kanë mbërritur në Balmoral, e po ashtu Princi William është nisur për aty.
Njoftimi vjen pasi monarkja 96-vjeçare anuloi pjesëmarrjen në një takim virtual me këshilltarët e saj ditën e mërkurë, me këshillë të mjekëve për t’u çlodhur. Kryetari i parlamentit britanik, Lindsay Hoyle, ndërpreu debatin për energjinë gjatë së enjtes, për të informuar deputetët lidhur me Mbretëreshën. “E di se flas në emër të të gjithë dhomës së komunëve kur them se i përcjellim urimet më të mira Mbretëreshës dhe se ajo dhe familja e saj janë në mendimet dhe lutjet tona”, tha ai.
Sakaq, kryeministrja britanike Liz Truss pohoi se i gjithë vendi do të ishte thellësisht i shqetësuar nga lajmi.
“Mendimet e mia dhe të qytetarëve britanikë janë për Mbretëreshën dhe familjen e saj në këto momente”, ishin fjalët e udhëheqëses së re.
Elizabeth II emëroi Liz Truss si kryeministre në kështjellën Balmoral ditën e martë, në vend që të udhëtonte në Londër për ngjarjen.
Gjatë sundimit 70-vjeçar, Mbretëresha ka zhvilluar tradicionalisht një audiencë më kryeministrat e rinj në Buckingham Palace. 96-vjeçarja ka qenë me pushime në shtëpinë e saj në Skoci që prej muajit korrik.