Orët e vona të së martës së 6 Shtatorit, pas një pyetësori të gjatë në prokurorinë e Ivrea, karabinierët e Venaria ekzekutuan masën e arrestit për 30-vjeçarin italian, i cili akuzohet për vrasjen e Fatmir Arës, biznesmenin shqiptar i cili u gjet i ekzekutuar në Mathi të Torinos më 3 Shtator.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, 30-vjeçari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u mor në pyetje nga karabinierët për më shumë se 12 orë.
Më pas ishin zyrtarët e prokurorisë që për 17 orë të tjera vijuan marrjen në pyetje, gjatë natës dhe ditës që pasoi deri në orët e vona të pasdites.
I dyshuari e modifikoi versionin e tij disa herë, edhe kur hetuesit i sollën fakte të pakundështueshme.
Në fund u thye dhe pranoi vrasjen, duke dhënë edhe të dhëna të sakta për gjetjen e telefonit të viktimës, i hedhur shumë larg nga vendi i ngjarjes, dorezat e përdorura për të kryer vrasjen dhe armën që e kishte me leje.
Në hetimet për të zbardhur vrasjen e 43-vjeçarit shqiptar, karabinierët analizuan qindra orë filmime të kamerave të sigurisë, publike e private dhe morën në pyetje më dhjetëra persona. Aktualisht hetimet vijojnë për të sqaruar shkaqet e ngjarjes së rëndë.
43-vjeçari shqiptar Fatmir Ara u gjet i pajetë në një zonë të pyllëzuar 2 ditë pasi u shpall i humbur nga familja.
Ai ishte qëlluar 3 herë me armë zjarri në kokë ndërsa dyshohet se para vrasjes ai të jetë dhunuar sipas të dhënave të nxjerra nga raporti paraprak i autopsisë.