Aktualitet Reshjet e dendura përmbytin Shkodrën, banorët: Nuk janë pastruar kanalet

Reshjet e dendura përmbytin Shkodrën, banorët: Nuk janë pastruar kanalet

Reshjet e dendura të shiut gjatë natës në fshatin Bleran të Njësisë Administrative Rrethina në Bashkinë e Shkodrës ka dëmtuar banesat në këtë zonë.

Në zonën e Bleran-Bardhaj gjatë natës ka shkaktuar dëme të mëdha, duke dëmtuar edhe infrastrukturën. Reshjet e shiut kanë qenë të dendura. Deri tani mësohet se rreth 30 banesa kanë prezencë uji.

Banorët shprehen se mospastrimi i kanaleve ndër vite ka sjellë këtë situatë.

“Ka ardhur stuhia nga ora 02:30. Shihni vetë. 1 metër e gjysmë ujë. Çfarë kam pasur brenda në shtëpi më ka bërë dëm. I ka shembur uji të tëra, avllinë. Ka 30 vjet që shteti nuk pastron kanale. Kam marrë në telefon policinë në 03;00 të natës; hajdeni mo se u mbytën të tan mrena. Uji ka qenë 1 metër e gjysmë. Ka thënë policia nuk mundemi të vijmë se është përmbytur e gjithë Shkodra. Apeli im është që të pastrojnë kanalet”, thotë një banor.

Për shkak të reshjeve intensive, edhe pedonalja në Shkodër thuajse është kthyer në një “lumë të rrëmbyeshëm”, duke sjellë kështu probleme me lëvizjen e qytetarëve.