Ministria e Brendshme njoftoi së janë rikthyer në punë dy sportele në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
“Në vijim të punës së pandërprerë nga ekspertët tanë dhe ata të vendeve aleate, aktualisht dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS. Shumë shpejt do të kemi rikthim të plotë të këtij sistemi në Rinas dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sistemet e Ministrisë u sulmuan gjatë natës përsëri nga Irani, duke nxjerrë jashtë pune pikat kufitare dhe portet e vendit. “Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, deklaroi kryeministri Rama përmes një postimi në Twitter gjatë paradites.
Ministria pati deklaruar më parë se për efekt sigurie, sistemet e saj, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht.
Nga sulmi iranian u bllokua e puna në portin e Vlorës, ku qindra udhëtarë nuk kanë mundur të largohen nga vendi me tragete. Nga pamjet brenda portit, shihen njerëzit e ulur në stola që presin. Puna nisi më vonë, me punonjësit që regjistruan në blloqe letre kalimin e udhëtarëve. Probleme u shfaqën edhe një natë më parë në Portin e Durrësit, por puna nuk u pezullua, për shkak se pasagjerët që kishin rezervuar udhëtimin u përpunuar me dorë nga punonjësit e portit.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara sanksionuan dy ministra iranianë në lidhje me sulmet ndaj Shqipërisë.