Në 24-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, Sali Berisha bëri thirrje që shqiptarët të ngrihen edhe një herë për të realizuar misionin që ish-studenti i dhjetorit kreu me kolegët e tij.
“Sot, Azem Hajdari me mesazhin e tij është më i gjallë se kurrë. Sot, ne vendosëm ato kurora aty ku ranë Azem Hajdari dhe sivëllai i tij Besim Çera, për t’i nderuar ata, por i vendosëm në kushtet e një monizmi të plotë. Pasardhësi i bllokmenëve hoxhistë, deshendenti direkt i njeriut që firmosi varjen në litar të disidentit Havzi Nela, është sot në pushtet dhe duke rrëmbyer votën e shqiptarëve, ka vendosur në kontroll të plotë të gjitha pushtetet në këtë vend, duke rikthyer kështu monizmin e plotë”, tha Berisha.
“Në këtë kontekst, vepra e Azem Hajdarit është një frymëzim i madh për shqiptarët, për t’u ngritur fuqishëm në protesta dhe demonstrata dhe për të rrëzuar këtë regjim, i cili qëndron mbi votën e vjedhur, mbi votën e rrëmbyer të shqiptarëve, qëndron mbi lidhjet e tmerrshme me krimin dhe drogën, qëndron mbi varfërimin e frikshëm progresiv të shqiptarëve, qëndron si një vasal i Beogradit, qëndron si një antishqiptar i vërtetë, si një armik i egër i lirive, të drejtave, qenies, identitetit të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Ndaj është një rast që t’u bëj thirrje shqiptarëve, të përmbushim misionin tonë, siç e përmbushën Azem Hajdari dhe studentët në vitet ’90”.