Fundi i bujshëm i Juventus-Salernitana, me golin e bardhezinjve 3-2 të shënuar nga Milik, i anuluar për pozicion jashtë loje nga VAR, shkaktoi shumë diskutime edhe jashtë Italisë.
“Marca” nuk i kursen fjalët dhe flet për “skandal”, duke iu referuar veçanërisht pozicionit të Candrevës, i cili do ta mbante Bonuccin në lojë dhe që nuk u vlerësua gjatë shqyrtimit të pamjeve me teknologji.
“FootMercato” në vend të kësaj fokusohet te tallja e ish-sulmuesit të Marseille, i përjashtuar me karton të kuq për shkak të heqjes së fanellës së tij, kur po ngazëllehej për golin e anuluar. Megjithatë, ishte një gol i vlefshëm.
“RMC Sport” flet edhe për një “gabim të madh”, duke shtuar gjithashtu se skuadra e Allegrit po “përpiqet të ngrihet”. E mbyllim me “Bild”, i cili shkruan: “Kohë e çmendur në Torino. Penallti, gol i anuluar dhe katër kartonë të kuq”.
Nga studiot e “Sky”, Fabio Caressa komentoi ashpër dhe prerë vendimet e marra nga arbitri e VAR-i me rastin e ndeshjes mes Juventusit dhe Salernitana, që çoi në anulimin e golit të Milik, pavarësisht mosefektivitetit të pozicionit të Bonuccit (i mbajtur në lojë edhe nga Candreva):
“Këto janë imazhe të bujshme, sepse Candreva e mbante Bonuccin në lojë për gjysmë metri. I yni nuk është VAR-i zyrtar, por këtu po flasim për 50 centimetra. Kjo do të thotë se ky është gabimi më i spikatur qysh kur ka hyrë në funksionim VAR-i”.