Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo ka reaguar pas raportit të inteligjencës amerikane se 500 mijë Dollarë u financuan nga Rusia për PD-në në zgjedhjet e vitit 2017.
Në një reagim nga selia blu, Garo tha se ky është akt personal i ish-kryetarit të PD Lulzim Basha.
Për këto raporte që u publikuan së fundmi, Floriana Garo kërkon në emër të PD-së rihapjen e hetimeve për paratë ruse, për të cilat ajo akuzon Lulzim Bashën dhe kryeministrin Edi Rama se mbylli këtë çështje.
Gjithashtu, PD-ja do të ngrejë një grup pune për të bërë audit të këtyre financimeve.
DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PD, FLORIANA GARO:
Pas publikimit të një lajmi të bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA në Zërin e Amerikës, për infiltrimin rus në politikën e disa vendeve, dhe financimin e politikanëve në këto vende, ku përfshihet financimi me 500 mijë dollarë të ish-kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike bën me dije se:
Ne jemi parti e interesit kombëtar dhe i shohim këto interesa larg aksit serbo-rus, në linjë të plotë me vendet e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian.
Partia Demokratike është forca e parë euro-atlantike në Shqipëri, propozuesja e parë ndër vendet ish-komuniste e planit për anëtarësim në NATO dhe Komunitetin Europian.
Si e tillë, Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës.
Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar përdorimin e kësaj afere për marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike.
PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë.
Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm.
Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet.
Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cënim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës.
Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve.
Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.
Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, ne kundërshtim te hapur me ligjin i dosjes në Gjykatën e Lartë.
Partia Demokratike kërkon transparence dhe një proces të qartë publik. Ajo eshte e gatshme të bashkëpunojë me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje, dhe deklaron se misioni i saj ka qenë dhe vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ndajmë me partnerët tanë.